Vendimi për të vijuar mësimin online pa një afat të caktuar, ka shkaktuar pasiguri veçanërisht te studentët që vijnë nga rrethet për të studiuar në Tiranë. Ky është Emiljando Kita, në vitin e parë master, i cili ka ardhur nga qyteti i Lezhës dhe e ka projektuar jetën e tij në kryeqytet prej katër vitesh tashmë për shkak të studimeve.
EMILJANDO KITA
STUDENT MASTER
Advertisement“Vendimi për të mbyllur auditoret po ngjall shqetësime sepse ne nuk e dimë se çfarë të bëjmë, të rrimë apo jo në Tiranë, të paguajmë qiratë apo jo, të rrimë në konvikte apo jo, pra kjo pasiguria na mundon më tepër sesa thjesht mësimi online.”
Edhe pse fakultetet janë mbyllur, një pjesë e te rinjve nuk janë kthyer në vendlindje pasi janë në marrëdhënie pune.
“Ka një sërë ngjarjesh që një student të mos kthehet në vendin e vet, por të rrijë në Tiranë. Ndër ta jam edhe unë pasi më duhet me doemos që të punoj, që të kem mundësi të blej librat, të paguaj tarifat, gjë që duhet kundërshtuar me doemos, nuk duhet të paguajmë për diçka që nuk e marrim, për diçka që nuk është mall, pra dija nuk është mall, që shitet e blihet.”
Mos prezenca në ambientet fizike të universitetit nuk e kanë bërë Emiljandon të ndihet më pak i ekspozuar ndaj virusit, pasi në punë ndan një ambient me pothuaj aq njerëz sa një sallë leksioni nw një kohë normale para pandemisë.
“Aktiviteti im është në një farë mënyre i frikshëm pasi nga ora 10:00 deri në orën 14:00 unë punoj në call centre, ku janë 100 persona aty. Sigurisht që nuk e di e kam kaluar apo jo Covidin, pasi nuk e kam bërë testin, por mund ta kem kaluar, pasi frymoj me 100 persona aty dhe mundësia për t’u infektuar është e lartë. Ndërsa në auditore mund t’i kishim marrë masat. Siç i morëm kur bëmë provimet sipas protokollit të sigurisë.”
Që prej fillimit të këtij viti akademik, mësimi në universitetet e vendit është zhvilluar online. Ai është shoqëruar me problematika, të pranuara nga vetë studentët dhe pedagogët.