Niveli i lartë i infektimeve ditore e ka futur në krizë sistemin spitalor në gjithë rajonin e Atikës në Greqi. Shtretërit në terapinë intensive në Athinë janë nga e marta, 100% të zënë. Drejtuesit e spitaleve thonë për mediat greke se janë të detyruar të bëjnë përzgjedhjen e personave që do të kurohen pasi dyndja e pacientëve në gjendje të rëndë e bën tashmë të pamundur kurimin e të gjithëve.
Qeveria është në negociata me spitalet e qyteteve të tjera, si dhe me spitalet private në Athinë për hapjen e shtretërve të rinj.
Greqia është në valën e tretë të përhapjes së koronavirusit. Vendosja e bllokadës në rajonin e Atikës, më i populluari i vendit, ka bërë që të ulet numri i infektimeve ditore.
Në të njëjtën situatë me spitalet është edhe Franca, ku rastet e rënda me COVID-19 kanë zënë 70% të shtretërve në terapinë intensive.
Autoritetet thonë se vendi ka hyrë në valën e tretë të përhapjes së koronavirusit me shtimin e numrit të të infektuarve ditorë. Qeveria po shqyrton mundësinë e ashpërsimit të masave në rajonin më të populluar të vendit, Il dë Frons ku bën pjesë edhe Parisi.