
Alqi Bllako ka dorëzuar në Kuvend mandatin e deputetit, një ditë pasi SPAK kërkoi arrestimin e tij, me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës në lidhje me aferën e inceneratorit të Fierit.
Dorëzimin e mandatit Bllako e lajmëroi që dje, përmes një postimi në “Facebook”, ku theksoi se do të përballet me akuzën pa asnjë privilegj dhe si një qytetar i thjeshtë.
Sipas SPAK, Bllako dyshohet se ka kryer një sërë shkeljesh në procedurat e ngritjes së inceneratorit të Fierit.
Nga hetimet u zbulua se Alqi Bllako në bashkëpunim me Pëllumb Abeshin, që mbante detyrën e kryetarit të komisionit të shpronësimit, si dhe me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, falsifikuan dokumentet për shpronësimin e pronës ku do të ngrihej impianti i trajtimit të mbetjeve.
Nga “tokë arrë” ata ia paraqitën kategorinë e pronës Këshillit të Ministrave si “tokë truall”, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm mbi 16.2 milionë lekë.
SPAK vëren më tej se Bllako, për shkak të funksioneve që kishte në Ministrinë e Mjedisit dhe më pas si Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, favorizoi shoqërinë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” kundrejt ryshfetit.