Ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, Erida Nelaj ka folur në edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus” mbi procesin e vaksinimin që nisi këtë të hënë në Tiranë.
Në një lidhje me skype, Nelaj sqaroi se vaksinat po ruhen në kushte specifike, ndërsa shtoi se po punohet për të rritur kapacitetet. Po ashtu, ajo trehoi në detaje se si funksionon zinxhiri i mbajtjes së vaksinës deri në injektimin e saj tek njerëzit.
“Bëmë një vlerësim paraprak para se të vinte vaksina. Duhet të ishim pregatitur që të kishim kushtet e ruajtjes. Është një vaksinë që kërkon kushte ruajtje shumë specifike, kërkon -70 gradë, -80 gradë. Ne i kemi këto kapacitete, frigorifer të dizejnuar -80 dhe po punojmë për t’i rritur këto kapacitete. Vaksinat kur transportohen kërkojnë transport me akull të thatë. Ju grantoj sigurinë e transportit dhe sigurinë e ruajtjes në nivelin qendror dhe më pas bëjmë shkrirjen dhe kalimin plus dy, plus tete, pas shkrirjes mund të qëndrojnë pesë ditë.”
Para se të bëjnë vaksinën, theksoi Nelaj, individët duhet të plotësojnë fillimisht një formular, ku hedhin të dhënat e tyre.
“Është një formular që e kemi quajtur “Mirëkuptimi”. Individi regjistron të dhënat e veta dhe merr një informacion për vaksinën. Ky material i jepet me vete personit. Tek ne qëndron vetëm pjesa e parë e dokumentacionit. Kur refuzon jep edhe një arsye. Ne japim përgjigje për çdo arsye, në mënyrë që t’i bindim pse është i domosdoshëm.”
Sa i përket emergjenca nga efektet e mundshme anësore, ekspertja e shëndetësisë tha se urgjencat mund të ndodhin vetëm 30 minutat e para. Më tej, ajo përmendi edhe kategoritë që përjashtohen nga vaksinimi.
“Urgjenca mund të ndodhë vetëm në momentin e parë për ndonjë person. Sot kishim 50 vaksinime dhe nuk patëm asnjë efekt anësor. Pas 30 minutave të para, nuk ka më urgjenca. Janë vetëm efekte normale, të rralla, dhimbje muskujsh. Tek formulari janë të listuara nëse personi ka shqetësime apo sëmundje të tilla dhe këtë duhet të flasin me mjekun. Sipas protokolleve, deri tani, nuk mund të ofrojmë vaksinim për gratë shtazëna, pasi nuk është provuar siguria e tyre. Po ashtu edhe tek femijët nën 16 vjeç. Do të përjashtohen ata që kanë alergji të njohura, kryesisht nga medikamentet që mund të kenë përbërës si ato që ka vaksina.”