Ministria e Mbrojtjes ka dhënë informacion mbi situatën nga zjarret në vend.
Raportohet se 12 vatra vijojnë të jenë aktive, ndërsa 14 të tjera të raportuara gjatë ditës së sotme janë shuar.
Po monitorohet nga strukturat e bashkisë Kurbin, vatra e zjarrit në fshatin Skuraj, ku pati riaktivizim, por aktualisht intensiteti është i dobët dhe nuk paraqet asnjë rrezik për zonat e banuara.
Aktualisht po vijon puna për shuarjen e zjarrit të rënë në Malin e Kakarriqit, bashkia Lezhë. Vatra e zjarrit është vënë nën kontroll, por hera herës shpërthen për shkak të erës. Për shuarjen e plotë të saj janë të angazhuara 90 forca operacionale nga FA dhe strukturat vendore.
Është vënë nën kontroll dhe po punohet për izolimin e plotë të vatrës në Malin e Lopçit, Shkodër.
Puna po vijon në një tjetër vatër, atë në zonën pyjore Bode, mbi fshatin Lozhan, bashkia Maliq. Në zonë po operojnë 26 efektivë nga FA dhe 50 forca nga strukturat vendore të bashkisë Maliq, të cilat e kanë vënë nën kontroll situatën dhe zjarri nuk paraqet rrezik për përhapje.
Nën kontroll është vënë edhe zjarri në fshatin Qarrishtë, bashkia Librazhd, në një sipërfaqe pyjore në zonën e Parkut Kombëtar Shebenik.
Puna vijon dhe nuk paraqet rrezik për përhapje edhe zjarri në vendin e quajtur “Mali i Qukësit”, bashkia Prrenjas.
Forcat janë angazhuar dhe kanë nën kontroll situatën në vatrën e zjarrit në Malin Lugë, fshati Kus, Bashkia Tiranë.