Aderimi me bujë në Vetëvendosje, i një personi që ka tentuar të fusë në Kosovë një linjë të Islamit radikal të Lindjes së Mesme, si Mustafë Bajrami, i cili është përjashtuar me ceremoni nga Bashkësia Islame e Kosovës, bëri lajm, për arsye se ka rritur edhe më shumë tendencën jo laike të partisë së Albin Kurtit.
Mustafë Bajrami, një person kontraversial, i lidhur me qarqe të fuqishme financiare që nga Lindja e Mesme kanë sjellë në Kosovë botime e fonde pafund, është i njohur si qejfli i karrierës.
Madje ka lëvizur sa në një parti në tjetrën për 3 vitet e fundit. E ka nisur me AKR-në e Pacollit, për të kaluar në AAK-në e Ramush Haradinajt, e në fund ndalesa tek Vetëvendosja e Albin Kurtit.
E këtu bëri bujë pikërisht prezantimi i bujshëm që Albin Kurti i bëri një personi që nuk është as intelektual i spikatur, e as ndonjë politikan i sporvuar në territor.
Siç e ka thënë vetë Bashkësia Islame e Kosovës, kur e ka larguar Bajramin nga radhët e saj me akuzat e abuzimit me fondet, ai gradën Doktor i shkencave e ka fake dhe nuk rezulton një mendimtar real i teologjisë.
Në lëvizjen tek AKR e AAK, atij nuk ju bë ky prezantim i bujshëm, por Albini e bëri atë, thjesht sepse Vetëvendosje tashmë po plotëson plotësisht kursin e kthimit thuajse përfundimtar të lëvizjes së tij me origjinë laiko-ateiste, tek një parti të tipit boshnjak, pra një Stranka Demokratske Akcije në hapësirat e ish-Jugosllavisë.
Alija Izetbegoviç, politikani ikonë i boshnjakëve, i cili dhe u bë presidenti i parë i Bosnjë Hercegovinës, kauzën e besimit e ktheu në identitet të popullsisë muslimane në hapësirat e Jugosllavisë. Izetbegoviç formoi partinë e tij Stranke Demokratske Akcije(Partia e Aksionit Demokratik), e cila përveçse në Bosnjë krijoi degët e saj edhe në Sanxhak, Mal të Zi, Kroaci, madje edhe në Preshevë, parti që u themelua nga Riza Halimi, i cili u zgjodh dhe deputet në Parlamentin e Serbisë.
Në kohën e luftës në Bosnjë, SDA u kthye një grup i madh lobimi edhe për të shprehur solidaritetin me dhimbjet dhe krimet që u kryen ndaj popullit boshnjak prej makinerisë së Milosheviçit.
Edhe pse ky lloj modeli i një lloj islami politik u impleentua në hapësirën e ish-Jugosllavisë ku jetonin boshnjakët që nuk kanë një identitet nacional të theksuar nga popujt sllavë, e pak në Preshevë, ku ka ndikuar edhe afërsia me Sanxhakun, në tërë trevat shqiptare në Jugosllavi, duke nisur nga Kosova, nuk pati nevojë për parti me linjë fetare, pasi shqiptarët dolën me çështjen e tyre nacionale, që ishte kauza dhe ëndrra e çdo shqiptari.
Lidhja Demokratike e Kosovës e Ibrahim Rugovës u kthye në magnetin politik të shqiptarëve në të gjitha hapësirat e trevave në ush-Jugosllavi.
Në Maqedoni doli Partia për Prosperitet Demokratik sërish me kauzë nacionale, në Mal të Zi: Unioni Demokratik i Shqiptarëve, por edhe në Preshevë më pas, Partia e Aksionit Demokratik u fokusua gjithashtu tek kauza nacionale, ku në të gjitha këto parti, logo ishte flamuri kombëtar kuqezi.
LDK e Ibrahim Rugovës, si inspiruesja e lëvizjes shqiptare, u distancua menjëherë nga grupet e interesit fetare që synonin të infliltroheshin në politike.
Kjo nuk do të thotë se ata u larguan, përkundrazi, ngaqë kishin edhe një mbështetje nga Beogradi, që dëshironte t’i jepte çështjes shqiptare një karakter fetar.
Por Rugova mbajti një distancim social permanent ndaj të gjitha grupeve, OJF-ve, qarqeve botuese që synonin të ngjiteshin tek lëvizja shqiptare.
Edhe në UÇK kanë tentuar të afrohen grupe të tilla por gjithashtu janë mbajtur larg, pasi sikur të kishte edhe një rast të tillë, do të minohej çlirimi i Kosovës nga Perëndimi.
Ndërkaq, edhe në Maqedoni, në fillim Nevzat Halili, e më pas i ndjeri Arbën Xhaferi e Ali Ahmeti, nuk i afroi qarqet shumë të fuqishme klerikale në popullsinë shqiptare atje.
Zoti në xhami e politika në Parlament-ishte deviza e Arbën Xhaferit, që e mbajti politikën shqiptare shekullare.
Edhe Vetëvendosja e Albin Kurtit, u themelua si një kauzë nacionale më “radikale” se të tjerat, ku nuk pranoi flamurin e Kosovës, e si bazë kishte Bashkimin Kombëtar e flamurin kuqezi, si të vetmin simbol të saj.
Por në ecejaken e gjatë si një formacion majtisto-laik, e cila veproi si lëvizje proteste, nuk krijonte premisat e një shumice të elektorale, e këtu Albin Kurti kreu edhe kompromisin e madh, që theu kauzën primare të tij, atë nacionale.
Ndryshe nga Ibrahim Rugova, Albin Kurti u fut fuqishëm tek ajo klasë njerëzish që shikonin islamin politik si kauzë e shqiptarëve të Kosovës.
Njerëz që kanë ngritur “famën” vetëm duke sulmuar Skënderbeun, si Hysamedin Ferraj, u bënë deputetë të Vetëvendosjes.
Rreth vitit 2013, pikërisht kur u fuqizuan edhe lëvizjet për të dërguar edhe ushtarë në luftën e Sirisë, në Kosovë pati një aktivizim të madh të një pjesë të klerikëve për të krijuar një “islam politik”.
Hoxhallarë që instaluan kamerat në xhami dhe shpërndanin ligjerata në rrjet u bënë virale. Në këto ligjërata sulmoheshin të gjithë figurat e krishtera dhe laike shqiptare, si Skënderbeu, Nënë Tereza etij, e sulmoheshin gratë që sipas tyre po nëpërkëmbnin moralin.
Një nga këta klerikë, një hoxhë i Prizrenit, Irfan Saliu, i cilësoi vajzat shqiptare që kryejnë marrëdhënie seksuale para martese si “rruspije”. Deklaratë që sikur e zgjoi pak shoqërinë kosovare, që ishte topitur.
Alma Lama, gazetarja e njohur, e cila u zgjodh deputete e Vetëvendosjes në vitin 2013 nga Albin Kurti, me logjikën e rritjes së prurjes nga shoqëria në parti, kritikoi ndër të parët, duke e demaskuar klerikun në fjalë, por edhe atë fenomen që po përhapjen në Kosovë, e që shpërndahej kudo në rrjet.
Mirëpo Albin Kurti zgjodhi denigrimin e deputetes së tij, duke lëshuar zagarët e Vetëvendosjes dhe ushtrive të frikshme të xhamive me fjalët më të rënda ndaj Almës, thjesht sepse zgjodhi afrimin me grupin që synonte të hynte si pykë në politikë.
Por këtë “martesë” Kurti nuk e bëri kurrë hapur, por fshehtas, ngaqë shoqëria u zgjua nga qëndrimet horror.
Megjithatë, me anë të këtyre aleancave siguroi disa fitore zgjedhore, ku më e rëndësishmja është ajo e komunës së Prizrenit, si më e madhja pas Prishtinës.
Shtatorja horror e Skënderbeut dhe ajo e Adem Jasharit më pas u përkrahën e financuan nga komuna e Prizrenit, e sipas gjasave nuk ishin aspak një rastësi, por diçka më shumë.
Një nga miqtë e aleatët më të fortë të Albin Kurtit në rajon është Sulejman Ugljanin, ish-kryebashkiaku i Novi Pazarit dhe kryetari i Stranka Demokratske Akcije të Sanxhakut.
I cili në faqet e tij sociale promovon shpesh Sali Berishën, që nuk dihet se pse, ndërkohë që pak kohë më parë mori pjesë në një aktivitet në Guci, ku ishte prezent edhe Ilir Meta, të cilin Ugljanin e përshëndeti në gjuhën shqipe.
Sulejman Ugljanin ishte edhe para pak ditësh në një aktivitet së bashku me presidenten në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani, ku u përurua një grup i përzgjedhur i intelektualëve të Mitrovicës, ku në listë ishte edhe Xhafer Deva, njeriu i masakrës së 4 shkurtit në Tiranë dhe nuk ishte vendosur kryeministri i parë i Kosovës së pavarur, Dr. Bajram Rexhepi.
TemA