Shumë drejtues mjetesh nuk janë ndërgjegjësuar, sipas policisë, edhe pse kontrollet në rrugë janë shtuar.
Gjatë 48 orëve të fundit janë konstatuar sërish një numër i madh shoferësh që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara apo në gjendje të dehur në timon.
Për këto arsye, 21 prej tyre kanë përfunduar në pranga, ndërsa 2.871 të tjerë janë gjobitur.
Njoftimi i policisë:
Edhe gjatë 48 orëve të fundit, janë konstatuar përsëri shumë drejtues mjetesh, që kanë tejkaluar shpejtësinë më shumë se limiti i lejuar dhe drejtues që kanë drejtuar mjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 21 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët, 11 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 10 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë pezulluar 68 leje drejtimi, nga të cilat 36 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 32 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 2871 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.
Ndërkohë nga Policia Rrugore e Tiranës, janë evidentuar dhe ndëshkuar dy drejtuesit e automjeteve të publikuara në rrjetet sociale dhe konkretisht:
1-Shtetasja S.D., me automjetin tip “Renault”, në rrugën interurbane Tiranë-Elbasan, ka kryer manovër të gabuar, duke qarkulluar në sens të kundërt. Shtetases S.D., i është pezulluar leja e drejtimit për 12 muaj, janë zbritur 3 pikë nga leja e drejtimit dhe është ndëshkuar me masë administrative 6.000 lekë të rinj.
2- Shtetasi E.M., duke drejtuar automjetin tip “Audi”, ka kryer parakalime të gabuara dhe me shpejtësi, duke rrezikuar përfshirjen në ngjarje rrugore. Policia Rrugore e ka ndëshkuar me 30.000 lekë të rinj, pasi drejtuesi i mjetit është rezident në një shtet tjetër .