Pas ditësh të tëra në luftë me flakët, forcat zjarrfikëse dhe shumë efektivë të FA kanë mundur të vënë nën kontroll situatën.
Më problematike gjendja këto ditë ka qenë në qarkun e Dibrës, në Balgjaj, Klos dhe në fshatin Madhesh, në Ulëz, ku flakët përfshinë sipërfaqe me pyje, dushqe dhe pisha.
“Kemi disa ditë që jemi në vendngjarje. Ka pasur disa vatra të ndezura dhe kemi punuar me intensitet të lartë për t’i shuar ato. ndihma nga Forca Ajrore ka qenë shumë e rëndësishme në këtë betejë”, tha nëntogeri Kejdi Vani.
“Forcat tona janë në terren gjatë gjithë kohës dhe besoj se kemi kryer detyrën si duhet. Kemi qenë të angazhuar plotësisht që nga momenti i parë kur morëm njoftimin dhe do të vazhdojmë punën deri në shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit,” tha tetari Klodjan Troci.
Ministria e Mbrojtjes ndërkohë apelon që të gjithë qytetarët të jenë të kujdesshëm gjatë kësaj periudhe të nxehtë, të shmangin çdo pakujdesi që mund të shkaktojë zjarr dhe të reagojnë menjëherë, duke kontaktuar strukturat zjarrfikëse për të parandaluar pasojat./vizionplus.tv