Shtyhet seanca në GJKKO për ish ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Mësohet se seanca është shtyrë për në 31 janar, në orën 13:00. Ndërkohë bëhet me dije se shkak i shtyrjes së seancës është bërë infektimi me Covid i prokurorëve Dritan Prenci dhe Vladimir Mara. Vetë ish-ministri Tahiri ka qenë sot i pranishëm në GJKKO për të ndjekur nga afër seancën.
Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj, të afërm të Tahirit.
Në shtator 2019, Tahiri u shpall i pafajshëm për akuzat e trafikut të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal, por u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, dënim i cili u konvertua me 3.4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar. Mirëpo, vendimi i shkallës së parë u prish nga Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila e riktheu çështjen për rishqyrtim, pasi u konstatuan parregullsi në proces.