“Shtëpia ruse” në mision në Kosovë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
“Shtëpia ruse” në mision në Kosovë

Një delegacion nga Qendra Ruse për Shkencë dhe Kulturë me qendër në Beograd, “Shtëpia ruse” (Ruski dom), vizitoi Kosovën javën e kaluar për t’u takuar me përfaqësuesit serbë, përfshirë ministrin e Kosovës për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq dhe deputetin e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Serbe, Igor Simiq.

Ata diskutuan për “çështje të shumta të zhvillimit dhe forcimit të bashkëpunimit me institucionet arsimore, kulturore dhe sociale lokale”. U tha që disa marrëveshje të arritura në Kosovë do të forcojnë pozicionin e gjuhës ruse “në këtë rajon dhe promovimin e arritjeve të Rusisë në fushën e arsimit, kulturës dhe shkencës”. Delegacioni i Qendrës Ruse në Kosovë gjithashtu u takua me përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe në Graçanicë dhe Deçan.

Në komunikatën e Qendrës ruse për Shkencë dhe kulturë thuhet se vizita e delegacionit të “Shtëpisë ruse” është zhvilluar me mbështetjen e “Zyrës në Prishtinë të Ambasadës së Federatës Ruse në Republikën e Serbisë”.

Zyra e Federatës Ruse gjendet në lagjen Arbëria në Prishtinë.

Advertisement
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar kësaj zyreje, lidhur me vizitën e delegacionit të “Shtëpisë ruse” në Kosovë, me pyetjen se cili ka qenë qëllimi i kësaj vizite, për çka konkretisht është arritur marrëveshja në takimet që janë mbajtur. Por, nga kjo zyre nuk kanë kthyer përgjigje.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Qeverinë e Kosovës nëse kanë qenë në dijeni për qëndrimin dyditor të delegacionit të Qendrës Ruse në Kosovë dhe ka kërkuar një koment lidhur me këtë vizitë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu është përgjigjur shkurt.

“Jemi njoftuar ndërkohë për takimin, por si Zyre e Kryeministrit nuk kemi qenë të informuar zyrtarisht për të”, ka thënë Kryeziu në një përgjigje me shkrim.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar edhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës me pyetjen se a është e njoftuar lidhur me vizitën e delegacionit të “Shtëpisë ruse”, por deri në publikimin e këtij teksti, kjo ministri nuk ka kthyer ndonjë përgjigje.

Advertisement

Rusia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron që territori i saj është pjesë përbërëse e Serbisë.

Çka është “Shtëpia ruse”?

Qendra Ruse për Shkencë dhe Kulturë “Shtëpia ruse” në Beograd, është përfaqësi e agjencisë federale “ROŠOTRUDNIČESTVO” (ROSHOTRUDNIÇESTVO) në Serbi.

Kështu thuhet në faqen zyrtare të internetit të kësaj organizate, qëllimi themelor i të cilës është “forcimi i lidhjeve miqësore, kulturore, lidhjeve ndërkombëtare të dy vendeve vëllazërore – Rusisë dhe Serbisë”.

Advertisement

“ROŠOTRUDNIČESTVO” është agjenci e themeluar në vitin 2008, në harmoni me dekretin e presidentit të Federatës Rusë. Fokusi i kësaj agjencie është në zbatimin e politikës shtetërore për bashkëpunimin ndërkombëtar si dhe promovimin e “kuptimit objektiv të Rusisë moderne në botë”.

Agjencia “ROŠOTRUDNIČESTVO” funksionon në 80 vende në mbarë botën.

Në krye të Qendrës Ruse për Shkencë dhe Kulturë “Shtëpia ruse” në Beograd është Jevgenij Boranov. Ai ka qenë gazetar raportues nga ish-Jugosllavia, ndërkaq në vitin 2001, atij iu dha urdhri “ Për trimëri”.

Ai është fitues i çmimit “TEFI” të televizionit kombëtar rus, për një raport të veçantë mbi hulumtimin e trafikimit të organeve të serbëve të rrëmbyer në Kosovë në periudhën nga 1998 deri në 2001.

Advertisement

Pas vizitës në Kosovë, Baranov, më 24 maj është takuar me ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin.

Siç është njoftuar, ministri serb Vulin, me atë rast, ka theksuar se e vlerëson nismën e Qendrës Ruse për Shkencë dhe Kulturë, për çështjen e zhvillimit dhe forcimit të bashkëpunimit me institucionet serbe të arsimit, kulturës dhe institucioneve humanitare në Kosovë.

Çfarë marrëveshje ka bërë “Shtëpia ruse” gjatë vizitës në Kosovë?

Siç thuhet në një komunikatë të “Shtëpisë ruse”, të datës 20 maj, përveç tjerash është nënshkruar edhe Marrëveshja për bashkëpunim me Universitetin në Mitrovicë , i cili funksionon sipas sistemit arsimor të Serbisë.

Advertisement

Mitrovica e Veriut është komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku autoritetet serbe kanë zhvendosur, siç e quajnë ata, Universitetin e Prishtinës, pas përfundimit të luftës në vitin 1999. Studimet aty zhvillohen sipas plan-programit të Republikës së Serbisë.

Rektori i Universitetit në Mitrovicën e Veriut, Zdravko Vitosheviq dhe drejtori i “Shtëpisë ruse”, Jevgenij Baranov, kanë konkluduar se realizimi i programeve të parapara në marrëveshje “pa dyshim se do të japë rezultate në fushën e fuqizimit të pozitës së gjuhës ruse në këtë rajon (Kosovë) dhe promovimin e të arriturave të Rusisë në sferën e arsimit, kulturës dhe shkencës”.

Kjo theksohet në komunikatën zyrtare të Universitetit të Mitrovicës së Veriut dhe Qendrës Ruse për Shkencë dhe Kulturë “Shtëpia ruse”.

Në takimin ndërmjet drejtorit të Qendrës ruse, Jevgenij Baranov dhe rektorit të Universitetit në Mitrovicën e Veriut, Zdravko Vitosheviq, kanë qenë të pranishëm edhe Goran Rakiq dhe Igor Simiq, drejtues të Listës Serbe, parti kjo e cila merr pjesë në institucionet lokale dhe qendrore në Kosovë dhe e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Kjo shihet edhe në fotografitë që janë publikuar në faqen e internetit të Universitetit në Mitrovicë të Veriut.

Advertisement

Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje të kontaktojë me Rakiqin dhe Simiqin, për të marrë deklaratat e tyre lidhur me takimin me delegacionin e “Shtëpisë ruse”, por ata kanë qenë të paqasshëm.

Prorektori i Universitetit të Mitrovicës së Veriut, që është i ngarkuar me çështjet e bashkëpunimit ndërkombëtar, Jovan Baziq, konfirmoi për REL-in se ky universitet më 18 maj arriti një marrëveshje bashkëpunimi me delegacionin e “Shtëpisë ruse”, marrëveshje e cila parasheh bashkëpunim me universitetet ruse në fushën e shkencës, kulturës dhe artit.

“Marrëveshja e bashkëpunimit përfshin pjesëmarrjen e përbashkët në realizimin e programeve të ndryshme arsimore, të kërkimeve shkencore, projekteve në fushën e artit, konferencave shkencore, seminareve, programeve të zhvillimit profesional, mësimit të gjuhës ruse dhe të ngjashme”, tha Baziq.

Përveç takimit me përfaqësuesve të Universitetit në Mitrovicën e Veriut, delegacioni i “Shtëpisë ruse” është takuar në Kosovë edhe me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe.

Advertisement

Në Manastirin e Graçanicës, i cili gjendet rreth dhjetë kilometra larg Prishtinës, është mbajtur një takim i delegacionit rus me peshkopin e Rashkës-Prizrenit, Teodosije.

Siç është thënë, në atë takim është folur edhe për çështjet “e karakterit humanitar”, ndërkaq që delegacioni rus, më pas, ka vizituar edhe Manastirin e Deçanit, në mënyrë që peshkopit të këtij manastiri, Sava Janjiqit, t’i ofrojë mbështetje, për shkak të “presioneve të vazhdueshme, të cilat autoritetet e Prishtinës i ushtrojnë mbi Manastirin dhe vëllazërinë e tij”.

Në komunikatë është përkujtuar që Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë i ka dënuar ashpër tentimet që shenjtërit serbe të pranohen si “trashëgimi e Kosovës”.

Hoti: Mbështetja e Rusisë përmes Beogradit, e pritshme

Advertisement

Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare, thotë se është e pritshme që Rusia me të gjitha format ta mbështesë Serbinë dhe shton se një nga komponentët ku shfaqet kjo mbështetje është edhe ndihma e Rusisë për serbët në Kosovë.

“Siç duhet tashmë, në veçanti Lista Serbe kontrollohet në mënyrë direkte nga Beogradi. E kjo nënkupton se përmes autoriteteve të Beogradit, normalisht komunikohet edhe drejtpërdrejt me Rusinë. Sipas mendimit tim, kjo nuk paraqet asnjë të re sepse raporti i Serbisë dhe i serbëve në Kosovë me Rusinë ka qenë edhe në të kaluar, është edhe sot dhe sipas bindjeve time, pavarësisht proceseve të integrimeve evropiane, do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, tha Hoti.

Drejtori i Qendrës Rajonale në Novi Sad, Aleksandar Popov, vlerëson që vizita e delegacionit të “Shtëpisë ruse” nuk do ta forcojë dhe as nuk do ta dobësojë ndikimin e Rusisë në mjediset e banuara me serbë në Kosovë. Ai thekson që kjo vizitë është “krejtësisht normale, sepse në mjediset serbe sundon ndjenja pro-ruse”.

“Në qoftë se Beogradi është ai që e prezanton Rusinë si mbrojtësen kryesore të Serbisë dhe si mbrojtësen kryesore kur bëhet fjalë për Kosovën, atëherë është krejtësisht normale që të takohen përfaqësuesit e serbëve me qytetarë që nuk bartin kurrfarë funksioni. Ata Rusinë e shohin si një mbrojtëse të tyre Këshillin e Sigurimit dhe ajo (Rusia), në skenën publike angazhohet që Kosova të mbetet në kuadër të Serbisë”, theksoi Popov për Radion Evropa e Lirë.

Advertisement

Ai tha se Rusia ka qëndrim të qartë kur bëhet fjalë për Kosovën dhe shtoi se “Rusia përfaqëson interesat e Serbisë çdo herë”.

“Kjo është ajo linja e ndikimit edhe në Ballkan. Ndonëse, nëse e shoh në esencë, Serbia ka fare pak përfitim nga kjo, përveç nëse heq dorë nga rruga evropiane dhe nëse Amerika edhe më tej do të mbështesë disa gjëra ose jo. Në atë rast, ai ndikim është i rëndësishëm, përndryshe, kur bëhet fjalë për negociatat (ndërmjet Kosovës dhe Serbisë), të cilat tash do të hyjnë në fazën intensive, ajo është tërësisht në duart e SHBA-së dhe BE-së”, theksoi Popov.

Rusia kishte ofruar ndihmë humanitare për komunitetin serb në Kosovë më 2011, kur nën udhëheqjen e liderëve dhe qytetarëve lokalë në veri të Kosovës, u ngritën barrikada me qëllim që të kundërshtohej integrimi në sistemin e Kosovës i katër komunave të banuara me shumicë serbe (Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit).

Pavarësisht se pati dyshime se ndihma ruse nuk ishte vetëm humanitare, megjithatë një gjë e tillë nuk u provua kurrë. Një dërgesë me 27 kamionë hynë në Kosovë në atë kohë. Ky konvoj u lejua që të hynte nga KFOR-i pasi për tri ditë qëndroi në kufi. Kjo dërgesë më pas u shoqërua për në Kosovë nga ambasadori i atëhershëm rus në Beograd, Aleksandar Konuzin, i cili së bashku me anëtarët serbë të organizatave të krahut të djathtë shkuan në veri të Kosovës.

Advertisement

REL

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy