Goditet një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave.
Policia e Kurbinit finalizoi me sukses operacionin antikanabis të koduar “Bushneshi”.
Gjatë operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: L. A., 54 vjeç, banues në Bushnesh, Kurbin, T. B., 27 vjeç, banues në Arrameras, Fushë Krujë dhe G. H., 43 vjeç, banues në Tetovë.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”, kryer në bashkëpunim, pasi në fshatin Bushnesh, Kurbin, kishin përshtatur katin e parë të një banese ku kishin bërë lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.
Gjithashtu janë arrestuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasit: Xh. D., 58 vjeç, banues në Bushnesh, më detyrë elektricist, Xh. K., 56 vjeç, banues në Mamurras, me detyrë elektricist, B. Gj., 33 vjeç, banues në Fushë Mamurras, me detyrë përgjegjës në OSHEE Kurbin dhe A. F., 53 vjeç, me detyrë faturist i OSHEE, pasi dyshohet se kanë lejuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në transformatorin elektrik me pjesën e jashtme që furnizonte me energji ndërtesën e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike.
Gjatë kontrollit të ambientit u gjetën dhe u sekuestruan 506 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në vazo dhe 58 kilogramë e dyshuar lëndë narkotike cannabis sativa.
Në këtë ndërtesë u konstatua një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin e bimëve narkotike.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan të gjitha pajisjet që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike, si: pajisje elektrike, llamba elektrike termale, lëndë ushqyese për bimët narkotike etj.
Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme.