Moti i acartë ka mbërthyer Shqipërinë nga veriu në jug. Situata paraqitet më problematike në Peshkopi, ku temperaturat gjatë natës kanë zbritur deri në minus 16 gradë.
Temperaturat janë edhe më të ulëta në zonat e thella. Për pasojë, Lura, Selishta, Reçi, Luznia, Sllova dhe Kalaja e Dodës janë të izoluara prej dëborës së madhe. Prej 72 orësh, në disa zona mungon edhe energjia elektrike. Një pjesë e qytetit të Peshkopisë është pa ujë të pijshëm sepse tubacionet kanë ngrirë. Në rrugë ka akull prandaj drejtuesit e mjeteve këshillohen të jenë të kujdesshëm dhe të përdorin zinxhirë. Kujdes i veçantë duhet treguar në Bypassin e Murrizit, për shkak të ngricës.
Situata është e rëndë edhe në zonat malore të Qarkut të Korçës. Fshatrat në Moglicë, Gore, Dardhas, Proptisht, Trebinjë, Velçan, Panarit dhe Lekas janë të bllokuar prej tri ditësh.
Qarkullimi behet me shume vështirësi edhe në disa fshatra të Devollit të Sipërm. Prania e akullit në rrugë është e madhe, çka vështirëson ndërhyrjen. Policia apelon qe shoferët të shmangin lëvizjet në zonat malore, ndërsa në rrugët e tjera rurale të përdorin zinxhirë e goma dimërore. Burime pra OSHEE bëjnë më dije se nuk ka pasur probleme me furnizimin me energji elektrike.
Termometri ka shënuar disa grade nën zero edhe në Qarkun e Elbasanit. Gjashtë kabina elektrike janë me defekt në fshatin Grabovë të Bashkisë së Gramshit. Akset rrugore nacionale janë të hapura, ndërsa në zonat ku ka pasur ngrica, është hedhur kripë.
Parku kombëtar i Llogorasë është zgjuar mëngjesin e kësaj të diele i mbuluar nga dëbora, ku trashësia ka arritur deri në 10 cm. Deri më tani nuk hasen probleme me qarkullimin pasi makinat borëpastruese kanë pastruar rrugët gjatë natës. Mbrëmjen e të shtunës nisën reshje dëbore edhe në Vlorë, por që zgjatën shumë pak.