Shqipëria ka plotësuar të gjitha kushtet e përcaktuara në Konkluzionet e Këshillit Europian në Mars të vitit 2020 për Konferencën e parë Ndërqeveritare. Ky është përfundimi i Komisionit Europian në një raport të detajuar, ku prezanton progresin e vendit tonë në rrugën drejt integrimit.
Në dokumentin e siguruar nga Vizion Plus komisioni vlerëson se pavarësisht sfidave të paraqitura nga pandemia COVID-19, Shqipëria ka vazhduar të tregojë përkushtimin e saj ndaj reformave të orientuara drejt anëtarësimi në union dhe ka dhënë rezultate të prekshme e të qëndrueshme.
“Vlerësimi përfundimtar i OSBE/ODIHR zbuloi se zgjedhjet në përgjithësi ishin të organizuara mirë. Administrata e re zgjedhore fitoi besimin e shumicës së aktorëve. Shqetësimet mbetën të lidhura me keqpërdorimin e burimeve publike ose funksioneve zyrtare, me pretendimet për blerjen e votës dhe rrjedhjen e të dhënave të ndjeshme personale që mbulojnë preferencat politike të qytetarëve.”
Advertisement
Në raport gjithashtu theksohet se në legjislaturën e re, shumica dhe opozita do të kenë nevojë të përmirësojnë dialogun politik dhe të punojnë së bashku me të gjitha pjesët e shoqërisë për të çuar përpara agjendën e reformës së BE -së dhe negociatat e pranimit.
“Koordinimi brenda administratës duhet të përmirësohet, veçanërisht në lidhje me integrimin në BE. Reforma administrative territoriale duhet të konsolidohet më tej si pjesë e agjendës më të gjerë të decentralizimit. Kjo është veçanërisht e nevojshme për të garantuar autonominë fiskale lokale dhe fuqizuar komunat për të ofruar shërbime publike me cilësi të mirë.”
Advertisement
Po ashtu konstatohet se është arritur përparim i kufizuar në zbatimin e udhërrëfyesit për krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për shoqërinë civile. Ndërsa korrupsioni i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit, mbetet një çështje shqetësuese serioze.
“Dënimet në rastet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë mbeten ende të kufizuara, duke nxitur një kulturë mosndëshkimi brenda niveleve më të larta të Shtetit. Strukturat e specializuara kundër antikorrupsionit, SPAK dhe gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duhet të forcojnë ndjeshëm kapacitetin e përgjithshëm të vendit për të hetuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin.”
Advertisement
Në raportin e progresit nënvizohet se Parlamenti dhe qeveria që rezultojnë nga zgjedhjet e 25 prillit duhet të respektojnë angazhimin për të siguruar që çdo ndryshim i mundshëm në ligjin për mediat të jetë në përputhje me Opinionin e Komisionit të Venecias dhe t’i nënshtrohet konsultimeve të duhura.
Vlerësimi bashkë me sugjerimet përkatëse është paraqitur në Këshillin dhe Parlamentin Europian si dhe në komitetin e rajoneve e atë socio-ekonomik. Pikat kryesore të diskutimit do të prezantohen në një konferencë për shtyp nga komisioneri për zgjerimin, Oliver Varhelji këtë pasdite.