Për investitorët e huaj, Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes. Në një raport të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, vihet theksi tek problemet kryesore që cenojnë tregun, siç janë korrupsioni dhe shteti i së drejtës. Referuar raportit, korrupsioni në drejtësi si dhe në sistemin e prokurimeve është një fenomen i zakonshëm.
“Pavarësisht nga një kornizë e shëndoshë ligjore dhe përparimit në E-reformat, investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik, konkurrencën e padrejtë, ekonominë informale, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave si problemet e vazhdueshme në Shqipëri. Raportet e korrupsionit në prokurimet qeveritare janë të zakonshme”, citohet në raport.”
Në raport evidentohet gjithashtu edhe situata e kontratave me partneritet publik privat, si një shqetësim i vazhdueshëm që cenon konkurrencën.
“Rritja e shpejtë e kontratave me partneritet publik privat ka tkurrur konkurrencën e investitorëve të huaj kryesisht në investimet në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta të kostos dhe përfitimit dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave të PPP janë shqetësime të vazhdueshme.”
Në analizën që është bërë për çdo sektor të ekonomisë, raporti evidenton se Shqipëria është një nga vendet me të korruptuara në Europë, referuar indeksit të perceptimit të kourrupsionit.
Ky fenomen pritet që të reduktohet vetëm pas zbatimit të reformës në drejtësi, fakt i cili do të ndihmojë në përmirësimin e klimës së biznesit.