Tritoli tronditi gjatë natës Shkodrën.
Lënda plasëse shpërtheu në banesën e efektivit të policisë Pëllumb Vukaj. Mësohet Vukaj është efektiv i krimeve në DVP Shkodër. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:25, në fshatin Hot i Ri. Lënda plasëse është vendosur në murin e banesës së efektivit.
Tritoli ka shkatërruar gjithçka në banesën e policit, gjithashtu nga shpërthimi është dëmtuar edhe mjeti tip “Benz”, i cili ishte parkuar në oborr.
Sakaq, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Rreth orës 02:25, në fshatin Hot i Ri, Shkodër, pranë murit të banesës së shtetasit, P. V., 49 vjeç, oficer policie në Komisariatin e Policisë Shkodër, ka shpërthyer lëndë plasëse.
Për pasojë ka vetëm dëme materiale në banesë, si dhe është dëmtuar edhe mjeti i tij tip Benz, i parkuar para banesës.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, njofton policia.