Zbardhen detaje të reja nga vrasja e 27-vjeçarit shqiptar në Mykonos, në Greqi 4 ditë më parë.
Sipas shtypit grek, shkak i vrasjes së të riut nga një bashkëatdhetar është qiraja e shtëpisë. Pesë persona janë arrestuar nga policia greke, mes të cilëve edhe një 29-vjeçar që dyshohet të jetë personi i cili e qëlloi me thikë në zemër. Të gjithë të arrestuarit janë shqiptarë.
29-vjeçari dhe viktima kanë qenë shokë dhe jetonin të dy prej fillimit të muajit Qershor në një shtëpi me qira. Të dy kishin shkuar për punë në ishullin e Mikonos. Por disa ditë para krimit, 29-vjeçari u largua nga shtëpia pas një sherri për qiranë me 27-vjeçarin.
Një ditë para vrasjes të dy u takuan për të sqaruar mosmarrëveshjen, por sërish u grindën. Dyshohet se në këtë moment 29-vjeçari i mori me forcë celularin dhe portofolin me 100 Euro 27-vjeçarit. Pas këtij incidenti, miq të përbashkët të tyre tentuan t’i afronin për të gjetur zgjidhje. Kështu ata caktuan një takim, por që ajo ditë u shndërrua në tragjedi për 27-vjeçarin shqiptar.
29-vjeçari shkoi në takim me 4 shokët e tij, por në vend që të sqaroheshin me fjalë, përdorën sende të forta dhe thikë. 29-vjeçari dhe 4 shokët e tij filluan të rrihnin të riun, duke e goditur me sende të forta. Ndërsa dyshohet se ka qenë pikërisht 29-vjeçari që e goditi viktimën me thikë në zemër duke e lënë të vdekur në vend.