Nga Shqipe Pantina
Bashkimi politik i Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit në zgjedhjet e kaluara, u pa si shpreh për lindjen e një mënyre të re të politikë bërjes që do e çonte vendin drejt ç’kapjes së shtetit, luftimit të korrupsionit dhe si rrjedhoje ë një mirëqenie dhe jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës. Kjo besoj ishte edhe arsyeja kryesore që bëri që gjysma e votuesve të jua besonin votën partisë qe drejtohej nga Osmani-Kurti.
Pas përfundimit të zgjedhjeve kishte edhe zëra të tillë qe thanë se Vjosa dhe Albini janë rivalët kryesore dhe simpatizuesit apo besimtarët e njërit dhe tjetrin pretendonin se ky respektivisht kjo do e fundos politikisht tjetrin. Përkundër thashethemeve të tilla këta të dy vazhduan të qeverisin bashkë dhe Kurti mbajti premtimin duke e zgjedhur Osmanin Presidente, dhe kjo e fundit vazhdon te mbetet lojale nda tij.
Ata që kanë përcjellë më nga afër karrierën politike të Kurtit besoj e dinë që Kurti është shumë i kujdesshëm në ekzekutimin e vendimeve, sidomos atyre qe ose janë problematike në raport me ligjmërinë ose janë jo popullore. Zakonisht ai përdor një ekzekutor apo nënshkrues të tyre dhe vetëm nëse behet fjale për marrjen e meritave e bënë këtë kurse përgjegjësinë çdo herë e vë tek dikush tjetër. Kështu kishte bëre edhe në parti e kështu po bënë edhe në qeveri.
Vendimi i tij i fundit për shkarkimin e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e ilustron më së miri këtë. Për më tepër Kurti me një gur ka vrarë dy zogj në këtë rast. E para përmes Vjosa Osmanit ai ka shkarkuar Valdete Daken e cila ka treguar integritet dhe mos bindje karshi regjimit të ri. Dorën në zemër të njëjtin qëndrim ajo e kishte mbajtur edhe në raport me pushtetin e kaluar. Por fitorja e tij më e madhe është se më një veprim të tillë ai shënoj edhe dy fitore tjera: njërën momentale e tjetrën afatgjate.
E para ( momentale) e tërhoqi vëmendjen e publikut nga takimi me Vuqiqin që mbahet një ditë pas shkarkimit të Dakes, dhe e dytë dhe më e rëndësishmja nga tash Vjosa Osmani është e shantazhueshme nga Kurti. Sot ka pas reagime të shumta nga organizata dhe aktivistë të shoqërisë civile por komuniteti ndërkombëtar duke se e ka vëmendjen tek takimi i nesërm Kurti-Vuqiq. Por shkarkimi i Dakes pa dyshim do evidentohet si shkelje në raportin e Komisionit Evropian. Kjo mund të jetë arsye e mjaftueshme qe Kurti kurdo qe Presidentja refuzon te ja ekzekutoj ose nënshkruaj vendimet e radhës ta kërcënoj me shkarkim nga pozita.
Vjosa Osmani e ka ndërtuar karrierën e saj politike kryesisht duke kundërshtuar dy liderë politikë; Hashim Thain dhe Isa Mustafën. A do mundet ajo sërish të ngritët politikisht tash duke kundërshtuar Albin Kurtin? Ndoshta edhe ngritët, por ndoshta edhe jo!
Pra shkarkimi i sotshëm i Valdete Dakes nga Vjosa Osmani nuk do i sjell shumë pasoja zonjës Daka, ajo është gjyqtare dhe i kthehet punës së saj në Gjykatë, por qytetarëve të vendit mund te ju sjell pasoja duke vonuar edhe më tutje liberalizimin e vizave për shkak të ndërhyrjes së politikës në institucionet e pavarura. E mundet të i sjell shumë pasoja edhe vet Vjosa Osmanit e cila kishte filluar të bëhej simbol i vajzave të reja për angazhim politikë, por një hap i pamenduar mirë i saj mund të shkatërroj përfundimisht karrierën e saj politike. Për të ardhur keq!