Teksa përflitej prej ditësh një situatë problematike mes kryebashkiakut të Vlorës dhe kreut të Ujësjellësit, sot situata është bërë fakt. Gjithçka ka ndodhur gjatë një mbledhjeje mes zyrtarëve të bashkisë Vlorë dhe atyre të Ujësjellësit.
Siç mësohet ka pasur një konflikt gjatë mbledhjes së drejtuesve të bashkisë dhe Ujësjellësit.
Pas mbledhjes, situata është acaruar kur ish-kreu i Ujësjellësit, Shkëlqim Leskaj, i cili ka dhënë dorëheqjen disa javë më parë, nuk ka pranuar të lirojë zyrën. Sipas burimeve, Leskaj nuk ka pranuar të ikë nga detyra. Kjo ka bërë që çështja të përfundojë në Policinë e Vlorës, ku është detyruar të shkojë ish-drejtori i Ujësjellësit të Vlorës, Shkëlqim Leskaj, por dhe zyrtarë të tjerë të Bashkisë.
Siç mësohet, në komisariatin e Vlorës ka shkuar edhe kryebashkiaku Dritan Leli, për të sqaruar situatën. Burime nga policia thonë se Leli ka ngritur akuzë për Shkëlqim Leskajn për vjedhje të librave të protokollit, si dhe vulës së institucionit.