Sezoni turistik 2024 është në kulmin e tij, e po në kulm janë dhe debatet e ditëve të fundit lidhur me fluksin e turistëve të huaj dhe vendas. Turet e pranverës dhanë sinjale se edhe gjatë sezonit të verës turizmi do të ishte në bumin e tij. Por realiteti në këto muaj vere nuk po ndjek të njëjtin trend si pritshmëritë. Operatorët turistikë në Vlorë thonë se qyteti është plotë më turistë. Por pse perceptimi është se plazhet janë bosh?
“Këto ditë në kulmin e sezonit turistik Vlora është e tejmbushur. Ajo që ka ndryshuar këtë vit në Vlorë është hapja e tunelit të Llogorasë, i cili e ka shtrirë gjeografikisht Vlorën edhe më shumë. Ndryshe nga çfarë thonë disa portale që Vlora është bosh. Turistët akomodohen në Vlorë, por ditën mund ta kalojnë përtej tunelit të Llogorasë. Ajo që është risi këtë vit është kemi larmishmëri të turistëve. Jo më vetëm lindorë. Risi është prania e turistëve francezë. Vitin e kaluar dominonin turistët spanjollë. Pra në Vlorë do të shohësh turistë nga e gjithë Europa”, thotë Vasil Bedinaj, operator turistik në Vlorë.
Sipas Bedinaj çdo gabim mund të kthehet në bumerang në këtë sektor, ndaj dhe korrigjimet e mundshme nga vet bizneset kanë nisur të reflektohen. Sipas tyre Shqipëria vijon edhe këtë sezon të jetë më e lirë se vendet e rajonit.
“Unë jam vet operator. Çmimi i çadrës nis me 5 deri në 10 mijë lekë. Ka dhe çadra të shtrenjta më shumë se 10 mijë lekë përtej Llogorasë. Atu ka dhe gaxibo. E rëndësishme është që Vlora ka një portofol të larmishëm. Mund të vijë një çift me 40 euro të akomodohet, mund të zgjedhë dhe një hotel me tre yje. Çmimet me rajonin janë 30% më lirë se në Kroaci apo Malin e Zi”, tha ai.
Por të dhënat tregojnë se turistët që vijnë në vendin tonë janë ata familjarë që shpenzimet i kanë të kufizuara. Ky fakt konfirmohet edhe tendenca e viteve të fundit, teksa apartamentet me qira ditore po preferohem më shumë se hotelet.
“Duhet të ndryshojë ndarja e plazheve. Duhet minimalisht 50 me 50 dhe jo 70 me 30 siç është aktualisht. Kanë qenë një strategji e qeverisë për të zhvilluar “Air Bnb”. Nëse deri para dy viteve, mbusheshin hotelet dhe më pas apartamentet. Tani mbushën apartamentet dhe më pas hotelet. Pra këto apartamente duhet të kenë plazhe publike për familjarët”, tha Bedinaj.
Por turizmi malor ka një panoramë krejt ndryshe. Vit pas viti ka një rritje të frekuentimit të alpeve, duke ofruar më shumë qëndrueshmëri. Por a kemi një zbehje të turizmit detar? Ajo çfarë turoperatorët vlerësojnë në turizmin malor, në raport me atë detar, është stabiliteti i çmimeve.
“Ka një rritje graduale të turizmit malor, jo vetëm në Shqipëri, por po bëhet tendencë evropiane. Jo më larg se javës që kaloi lexova që Evropa po përfshihet nga një valë e lëvizjes dhe turizmit malor për të shpëtuar nga temperaturat e larta. Nga një studim rezultoi që 2 nga 5 vetë preferojnë të pushojnë në zonat malore në periudhën e të nxehtit. Edhe Shqipëria po kalon këtë fazën e zhvillimit të turizmit malor. Ne e ndjejmë dhe e shohim që turistët që po vijnë në Shqipëri e kanë si pjesë të rëndësishme kalimin edhe në zonat malore, pra nuk janë vetëm turistë që preferojnë vetëm detin apo rërën. Zonat malore kanë qëndruar më stabël karshi çmimeve, pavarësisht një rritje të lehtë që ka ardhur prej rënies së euros. Por nuk kemi ndikim madhor dhe çmimet janë të favorshme për turistët. Nëse mbahet i njëjti ritëm dhe rrisim standardet, do të jetë pozitive për Shqipërinë sepse konkurrenca rajonale është shumë e fortë”, tha Zak Topuzi, operator turistik.
Turistët që më shumti preferojnë malet e Shqipërisë mbeten çekët, polakët e gjermanët, ndërsa dy destinacionet kryesore për ta janë Valbona e Thethi. Por operatorët apelojnë që paralelisht me zhvillimin e turizmit malor, duhet përmirësuar infrastruktura dhe duhet mbrojtur ambienti.
“Do vëmendje shumë më të madhe nga pushteti vendor dhe qendror për përmirësimin e infrastrukturës, për mbrojtjen e ambientit sepse shitet destinacioni dhe jo hoteli ku ti shkon të pushosh. Shqipëria pavarësisht ndryshimeve esenciale, ka akoma vend për përmirësim. Duhen ndihmuar zonat malore për të përmirësuar performancën e tyre. Qeveria duhet të ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të përmirësuar infrastrukturën në këto zona, vazhdojmë të kemi probleme me furnizimin me energji elektrike. Ne duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë, nuk duhet të dehemi nga sukseset.”
Rritja e disa taksave lokale, zhvlerësimi i euros, rritja e cimeve të ushqimeve, si dhe investimet që bizneset kanë bërë për t’i paraprirë sezonit turistik, janë disa nga faktorët pse ky sezon është më i shtrenjtë si ai i një viti më parë. Këto dy vite mund të konsiderohen si të mirët në fushën turistike. Vetëm si 6 mujorë janë 4.5 milionë turistë të regjistruar. Janë pikërisht kanë turistë që konsiderohet si ambasadorë, që me komentet e tyre ndikojnë për mirë apo për keq. Ndaj janë ende në kohë bizneset dhe institucionet shtetërore, të korrigjojnë sa mundin veten, ndaj komenteve dhe përshtypjeve negative të turistëve./vizionplus.tv