Tetë deputetë të Partisë Demokratike në Komisionin e Ligjeve kërkojnë zyrtarisht seancë dëgjimore për çëshjtjen e shtëpive te zona e 5 Majit.
Ata i dërguan Kryetares së Komisionit të Ligjeve një kërkesë për seancë dëgjimore të premten, në përpjekje për t’u ardhur në ndihmë banorëve.
Gazment Bardhi, Enkelejd Alibeaj, Dhurata Çupi, Saimir Korreshi, Greta Bardeli, Dashnor Sula, Elda Hoti, Bledion Nallbati vënë në dukje detyrimin e këtij komisioni për të mbrojtur të drejtat e njeriut, posaçërisht të drejtën e pronës për rastin e familjeve në zonën e 5 Majit.
Në seancë dëgjimore, përveç një përfaqësie nga banorët, janë thirrur edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, drejtori i IMT pranë Bashkisë Tiranë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, si dhe avokati i Popullit, Erinda Ballanca.
Deputetët demokratë kërkojnë gjithashtu edhe paraqitjen nga institucionet të dokumentacionit të plotë mbi projektin dhe veprimtarinë e institucioneve mbi pronën e qytetarëve.