Iniciativa e bashkëpunimit rajonal “Ballkani i Hapur” nuk është përqafuar ende nga tre shtete të Ballkanit Perëndimor, mes tyre edhe Kosova, e cila këmbëngul fillimisht për njohje reciproke nga Serbia. Në këto kushte, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bëjnë thirrje liderve të rajonit që të heqin pengesat mes tyre dhe të thellojnë bashkëpunimin.
“Shtetet e Bashkaura mbështesin fuqimisht vijimin e përpjekjeve në Ballkanin Perëndimor për të thelluar dhe forcuar integrimin gjithëpërfshirës rajonal, në bazë të rregullave dhe standardeve të BE-së. Kësisoj i bëjmë thirrje udhëheqësve në rajon që të përpiqen për të gjetur mundësi për reduktimin e pengesave tregtare, rritjen e konkurrencës ekonomike dhe ndërtimin e ekonomive të integruara, dinamike në shërbim të qytetarëve të tyre”.
Departamenti Amerikan i Shtetit gjithashtu e konsideron thelbësore çdo përpjekje për krijimin e tregut të përbashkët rajonal.
“Ballkani Perëndimor është një rajon me potencial shumë të madh të pashfrytëzuar, që shfaqet edhe tek vizioni dhe përpjekjet e popujve të tij për të krijuar një rajon të begatë e të suksesshëm, të integruar plotësisht në Bashkimin Europian. Prandaj mbetet esenciale tërheqja e investimeve dhe rritja ekonomike për krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal – i tillë që garanton lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.”
Prishtina zyrtare në reagime të përsëritura, nuk e ka ndryshuar pozicionimin kundër nismës, edhe pse janë shtuar thirrjet për bashkimin e saj në tryezën e bashkëpunimit rajonal.