Presidenti Ilir Meta ka uruar homologun e tij Sergio Mattarella i cili u rizgjodh President i Italoisë për një tjetër mandat.
Meta shkruan se gjatë këtij mandati, marrëdhëniet e shkëlqyera, historike e shumëdimensionale midis Shqipërisë dhe Italisë, do të rriten e pasurohen edhe më shumë, si në planin dypalësh, ashtu edhe në atë shumëpalësh.
I nderuar Zoti President, Shkëlqesia Juaj, Sergio Mattarella
I dashur mik,
Rizgjedhja Juaj si President i Italisë, më jep kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju përcjell urimet më të përzemërta dhe të sinqerta për vazhdimin e përmbushjes me sukses të misionit Tuaj në drejtimin e Republikës Italiane. Kam shumë besim se edhe gjatë këtij mandati, marrëdhëniet e shkëlqyera, historike e shumëdimensionale midis Shqipërisë dhe Italisë, do të rriten e pasurohen edhe më shumë, si në planin dypalësh, ashtu edhe në atë shumëpalësh.
AdvertisementNë emër të popullit shqiptar dëshiroj të shpreh sërish mirënjohjen ndaj popullit italian për mikpritjen e ngrohtë të komunitetit arbëresh në Itali duke vlerësuar e respektuar identitetit kombëtar e traditën shpirtërore, gjuhësore e kulturore dhe duke lehtësuar mirëintegrimin e tij të natyrshëm në shoqërinë italiane. Pritja e ngrohtë në Shën Mitër Korona dhe vizita e përbashkët në Kolegjin e Shën Adrianit, në kuadër të përkujtimit të 550-vjetorit të Gjergj Kastriot Skënderbeut, kanë mbetur në kujtesën time, jo vetëm si dëshmi e ndjenjës së përbashkët të miqësisë shekullore mes dy popujve, por edhe si provë e pakundërshtueshme e vlerësimit Tuaj ndaj kësaj periudhe të veçantë të historisë sonë të përbashkët.
Njëkohësisht, i nderuar Zoti President, gjej rastin t’Ju falenderoj Ju dhe popullin italian dhe autoritetet qendrore dhe lokale të vendit Tuaj për ndihmesën e vyer ndaj shqiptarëve që emigruan tek Ju, për shpirtin mikpritës, falë të cilit, një gjeneratë e tërë të shqiptarëve tanë të Italisë përfaqësojnë denjësisht sot kombet tona, në të gjitha fushat, jo vetëm në Itali, por në mbarë botën. Shpreh garancinë që vendet tona, si dy vende anëtare të NATO-s, do të vijojnë bashkëpunimin dhe kontributin në sigurinë rajonale e më gjerë, veçanërisht në kuadër të OKB-së, gjatë mandatit dyvjeçar të Shqipërisë, si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit.
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer dhe të vazhdueshme që Ju dhe vendi Juaj i keni dhënë Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian, e njëkohësisht të shpreh bindjen se rizgjedhja Juaj si President i Italisë do të nxisë edhe më fort mbështetjen italiane përgjatë këtij proces të rëndësishëm europian dhe gjeostrategjik për rajonin dhe për gjithë Europën. uke Ju ripohuar edhe një herë ndjenjat e miqësisë së thellë të popullit shqiptar, urimet e mia të sinqerta për rizgjedhjenTuaj si President i Republikës Italiane dhe dëshirën për t’u takuar së shpejti,
Ju lutem pranoni, i nderuar mik, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Advertisement