Maqedonia e Veriut ka pranuar 20.000 doza të vaksinës ruse Sputnik V, si dhuratë nga Serbia.
“Të enjten pranuam donacionin e dytë nga Serbia, një akt i miqësisë së madhe që vjen në një kohë shumë të rëndësishme për ne.
Bëhet fjalë për 20.000 doza të vaksinës Sputnik V që ne marrim nga Serbia mike, në një periudhë që është shumë e rëndësishme për të vazhduar me vaksinimin masiv në vend”, ka deklaruar kryeministri maqedonas, Zoran Zaev.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se këto vaksina do të mundësojnë vazhdimin e imunizimit, derisa të mbërrijnë vaksinat e tjera, të cilat qeveria i ka kontraktuar me prodhues të ndryshëm.
Kjo është hera e dytë që Maqedonia e Veriut merr vaksina nga Serbia, pasi më herët ka pranuar 8 mijë vaksina Pfizer.
Ndërkaq, vaksinimi i popullatës në Maqedoninë e Veriut ka nisur të mërkurën me 24 mijë vaksinat AstraZeneca, që vendi i mori përmes programit COVAX.