Rruga e cila kufizohet nga akset “Kongresi i Manastirit” dhe “Faik Turdiu” pranë Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë do të mbajë emrin e ish-kampionit të boksit Skënder Kurti, i cili u nda nga jeta vitin e kaluar, pasi humbi betejën me Covid-19.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj tha se ndihet i nderuar që Bashkia votoi unanimisht që një rrugë në Njësinë 3 të mbajë emrin e Skënder Kurtit.
“Skënder Kurti i ka shërbyer këtij vendi në ushtri, në gardë, në bashkinë tonë, por mesa duket, detyra më e lartë e njeriut është të jetë një qytetar i mirë. Sot nuk dua ta kujtoj Skënderin vetëm në funksionet që ka pasur, por edhe si Skënderin e mirë që kemi njohur, si qytetarin e mirë të Tiranës sonë, si mësues për shumë fëmijë e të rinj për të cilët nuk ishte vetëm trajneri i boksit, por ishte dhe një mentor, këshilltar, një vëlla i madh, ishte një prind i dytë. Më vjen mirë që një rrugë në lagjen tonë do të mbajë emrin e Skënder Kurtit”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj u dorëzoi familjarëve në shenjë simbolike një kopje të tabelës me emrin e rrugës. Familjarët e Kurtit falënderuan kreun e Bashkisë Tiranë për vendosjen e emrit të “Skënder Kurtit” në një prej rrugëve të kryeqytetit.