Kryetari i Bashkisë së Tiranës mirëpriti në zyrën e tij familjarë të Dëshmorit të Atdheut, Arjan Sala, i cili humbi jetën në një moshë tepër të re për të shpëtuar 25 kolegë nga zjarri, të cilëve u dorëzoi në mënyrë simbolike një kopje të tabelës së rrugës që do mbajë emrin e të ndjerit.
Mes shumë emocionesh, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se shumë vajza e djem, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e Maqedoni, janë frymëzuar nga gjesti i heroit Arjan Sala.
“Unë e di që për ty, ai është drita e syrit dhe djali por për pjesën më të madhe të shqiptarëve është një hero dhe ke lindur e rritur një hero dhe një djalë të respektueshëm, ndaj dua ta kujtojmë si të tillë, si një hero të qytetit. Ai nuk është vetëm djali i familjes, por është një hero që në qytet u sigurua që 20 nëna të tjera të mos visheshin me të zeza, 20 prindër të shkonin në shtëpi, duke dhënë jetën e vet”, me këto fjalë iu drejtua Veliaj babait të Arjan Salës.
I prekur, Fadili, babai i Arjanit falenderoi kryebashkiakun për lehtësimin e dhimbjes: “Ju falënderoj shumë nga zemra, edhe në emër të familjes, që keni bërë për mua dhe nakeni lehtësuar dhimbjen me këto që thoni. Ju falenderoj shumë nga zemra!”
Rruga që do mbajë emrin “Arjan Sala” ndodhet pranë Spitalit Ushtarak në Laprakë, në Njësinë 11.