Maqedonia e Veriut të mërkurën ka regjistruar 641 raste të reja me koronavirus, 12 të vdekur dhe 233 të shëruar.
Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë deri tani të diagnostikuar me sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavurusi janë 24,836 persona.
Prej tyre, 862 kanë vdekur, 17,905 janë shëruar dhe 6,069 raste janë aktive.
Në Maqedoninë e Veriut, po këtë ditë kanë hyrë në fuqi masat e reja kufizuese për mbrojtje nga koronavirusi, e që kryesisht kanë të bëjnë me transportin publik, punën e objekteve të gastronomisë dhe administratën publike.
Vendimi i qeverisë parasheh që të gjitha lokalet dhe restorantet të punojnë deri në orën 23:00, transporti publik ta reduktojë në 50 për qind kapacitetin e pasagjerëve, ndërsa institucionet shtetërore dhe publike ta organizojnë punën e të punësuarve me turne, rotacion apo edhe punë nga shtëpia.
Qeveria ka lënë në fuqi edhe masën për mbajtjen e aktiviteteve sportive pa praninë e shikuesve.
Ndërkohë, nuk ka ende marrëveshje mes partive për masat e tjera që kanë të bëjnë me mbajtjen e maskës në ambiente të hapura, ndalimin e grumbullimit të më shumë se katër personave pas orës 22:00, si dhe ndalimin e vizitave të më shumë personave nëpër familje.
Këto masa nuk mund të miratohen pa mbështjen e opozitës, meqë shumica parlamentare nuk i ka votat e mjaftueshme./R.E.L