Vetëm gjatë 48 orëve të fundit, nga Shqipëria në drejtim të Maqedonisë dhe anasjelltas kanë lëvizur 7141 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Numri më i madh i hyrje-daljeve ka qenë gjatë 24 orëve të fundit, pasi nga kjo pikë kufitare kanë hyrë e kanë dalë 3861 shtetas.
Burime pranë kësaj pike kufitare thanë për Vizion Plus se numri më i madh është i daljeve nga Shqipëria në drejtim të Maqedonisë së Veriut, çka tregon se shqiptarët vazhdojnë ta përdorin vendin fqinj si kalim tranzit drejt Greqisë, në kushte kur Kapshtica vijon të jetë e bllokuar në dalje dhe Kakavija pritet që nesër të ketë reduktim lëvizjesh.
Për të përballuar fluksin në rritje në Qafë-Thanë, policia në dy ditet e fundit ka punuar me 6 sportele, 3 në hyrje dhe dalje.
Nga dita e nesërme, numri i sporteleve mund të rritet në dalje, për shkak të reduktimit të lëvizjeve nga Kakavija. Fluks në hyrje-dalje ka pasur edhe ditën e sotme. Gjatë 48 orëve të fundit, lëvizje ka pasur edhe në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës.