Ndëshkohen me masë administrative 1181 shtetas që nuk zbatuan masat anticovid, 1173 prej tyre për mosvendosjen e maskës mbrojtëse.
Policia ka evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 950 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse gjatë 24 orëve të fundit, raporton Vizion Plus.
Po ashtu shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative, 223 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse.
Gjatë këtyre kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë, 8 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative dhe janë lënë të lirë.
Forcat e rendit gjate kontrolleve kanë konstatuar një lokal që ushtronte aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për administratorin e këtij subjekti është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.
Gjithashtu, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 7 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00.