Reshjet intensive të shiut të rëna gjatë natës kanë shkaktuar probleme të shumta përgjatë rrugës së Arbrit. Në pjesë të ndryshme ka pasur rënie të vazhdueshme të gurëve, ndërsa më problematike situata ka qenë në segmentin që lidh Qafën e Buallit me Bulqizën.
“Këtu ka probleme se bien gurët vazhdimisht. Është terren i vështirë. Një pjesë kujdeset për rrugën. Duhet të vijnë që në mëngjes që ti marrin masat se prandaj i merr lekët qeveria. Nuk është nevoja më të thënë se kjo është fakt. Shikoje si është mbushur kanali me gurë. Për të cilët nuk i bie mendja askujt t’i pastrojë këto kanale. Nuk ka asnjë lloj funksionimi të shtetit këtu. Veç të marri paret. Mirëmbajtja se ku është një zot e di. Dalin shoferët i heqin gurët nga rruga.”
“Është rrezik për drejtuesit e mjeteve.”
Sipas drejtuesve të mjeteve dhe banorëve, shkak për këtë situatë, e cila shpesh kthehet në burim aksidentesh, është bërë mosvendosja e një rrjete mbrojtëse përgjatë shpatit të malit, raporton Vizion Plus.
Edhe në aksin nacional Elbasan-Qafë Thanë reshjet kanë favorizuar rrëshqitjen masive të gurëve por janë pastruar nga firmat kontraktore. Ndërkohë në segmentin rrugor Gramsh-Porocan qarkullimi bëhet me vështirësi pasi rruga është shembur.