Një grua e moshuar në Maliq u grabit dhe u dhunua nga një person ende i paidentifikuar.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të datës 29 dhjetor në fshatin Pirg, ku 67-vjeçarja Luljeta Hoxha jeton e vetme. Por rasti nuk u njoftua nga policia e Korçës.
Për shkak të plagëve të marra në trup, e moshuara po merr mjekim në spital. Ajo tregon se një person i maskuar e me një thikë në dorë i hyri në banesë dhe më pas e dhunoi duke i kërkuar paratë.
LULJETA HOXHA
BANORE E FSHATIT PIRG
Deri në orën 10 pa 20 isha zgjuar, rashe të flija dhe ikën dritat. U hap porta, unë isha shtrirë, erdhi një trup i gjatë dhe m’u hodh sipër. Leket me tha se të vrava. I thoja se nuk kam lek, vetëm pensionin. Leket me tha përsëri se të vrava. Me lidhi duart dhe gojën me një leckë dhe litar, dhe me godiste. Me mori zvarrë nga dhoma tjetër, e më kërkonte përsëri lek.Nxori thikën. Me goditi me shkelma.
Pas dhunës së ushtruar, e moshuara, thotë se humbi ndjenjat ndërsa grabitësi i kishte marrë 10 mijë euro që i kishte fshehur në divan.
“Leket i kisha kursime sepse kisha shitur tokat. Mendoja të kisha lekët për t’u pleqëruar e varrosur. 10 mijë euro mi mori. Në divan i kisha fshehur, aty ku flija. I gjeti vet. Policia erdhi pasi u përmenda. Kam dhimbje të mëdha.Shkova në komshinjtë, kërkova ndihmë. Isha e goditur dhe me enjtje. Lajmëroi policinë komshia, në pyetën dhe u tregova.Me mori policia me solli pa ndjenja në spital. Nuk kam dyshime kush mund të jetë, nuk e di. “
Deri më tani janë shoqëruar nga policia 18 persona, banorë të fshatit Pirg dhe të zonave të tjera . Pasi janë marrë në pyetje ata janë lënë të lirë, ndërsa ende nuk dihet se kush është autori i grabitjes.
E moshuara, Luljeta Hoxha nuk ka fëmijë. Ajo jeton e vetëm pasi bashkëshorti i ka vdekur.