Riaktivizohet sërish zjarri në pyllin me pisha në Kraps të Fierit.
Burimet bëjnë me dije se flakët po përhapen me shpejtësi për shkak të terrenit dhe erërave të forta që favorizojnë shtrirjen e tyre në një sipërfaqe më të gjerë. Kreu i zjarrëfikëseve të bashkisë Fier Zija Hyka pohon se situata është e vështirë, ndërkohë që për neutralizimin e flakëve në terren ndodhen tre mjete zjarrëfikëse.
Situata bëhet më e vështirë edhe për shkak të terrenit të vështirë, ndërkohë që vetëm dy ditë më parë shuarja e zjarrit u bë e mundur edhe pas ndërhyrjes nga ajri pasi zjarri doli jashtë kontrollit duke u përhapur nga pylli i Peshtanit drejt Krapsit.
Për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve situata po bëhet alarmante duke kërkuar përforcime edhe nga Patosi e Rroskoveci, ndërkohë që ky zjarr i përmasave të tilla mund të kërkojë edhe ndërhyrje nga ajri. Sipërfaqja e djegur në Peshtan u vlerësua në më shumë se 30 hektarë të mbjelle me dushk, pishë dhe ullinj ndërsa nuk u rrezikuan banesa.