Kur ka kaluar vetëm një ditë nga çelja e aplikimeve për të përfituar nga skema kombëtare e mbështetjes për bujqësinë, është shënuar një interes i madh i fermerëve për të qenë përfitues.
Krahasuar me një vit më parë, sipas Ministrisë së Bujqësisë, numri i aplikimeve, qoftë përmes portalit e-Albania, qoftë në agropika, është dyfishuar.
DHIMITER KOTE
ZV/MINISTER I BUJQESISE
“Deri tani shifra ka arritur 18 mijë-20 mijë aplikime. Vetëm në ditën e parë u regjistruan 17 mijë aplikime, nga të cilat 7 mijë janë për naftën.”
Advertisement
Deri në datën 11 prill kur mbyllen aplikimet, Ministria e Bujqësisë pret që numri i fermerëve të interesuar për fondin prej 3.3 mld lekësh këtë vit të tejkalojë shifrën prej 60 mijë aplikimesh vitin e shkuar. Por a do të mjaftojë fondi për të gjithë ?
DHIMITER KOTE
ZV/MINISTER I BUJQESISE
“Ne do të kemi aplikime edhe më shumë, a ka nevojë bujqësia për më shumë? Sigurisht që ka. Por vitin e kaluar qeveria bëri ndërhyrje të zgjuara. Duke parë situatën, duke gjykuar. Jemi optimistë që qeveria do të rialokojuë fonde, kryesisht për naftën, ndërsa për masat e tjera kemi besim se do t’i ezaurojmë me fondet e vëna në dispozicion.”
Çelja e aplikimeve të hënën u shoqërua me radhë të gjata, paqartësi dhe rënie të sistemit online për disa minuta në disa qytete, si Korçë, Fier, Elbasan.