Bashkia e Elbasanit ka nisur rehabilitimin e një tjetër blloku të madh banimi. Bëhet fjalë për rrugët “Grigor Nosi”, “Hasan Ali Kopili” dhe “Xhaferr Duhanxhiu”. Sekretari i Përgjithshëm i PS, njëherësh dhe drejtues politik i qarkut, Damian Gjiknuri, ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi dhe kryebashkiaku Gledian Llatja inspektuan punimet për sistemimin e këtij blloku që ishte dhe një kërkesë e komunitetit për ndërhyrje kapilare.
Gjiknuri deklaroi se krahas zhvillimit të qendrës së qytetit, investimet do të vijojnë dhe në zonat periferike.
“Këtu puna flet vetë. Është një kantier në zhvillim e sipër, çdo gjë nëntokësore është përfunduar, kanalizimet janë bërë. Bëhet fjalë për urbanizimin edhe të kësaj pjese të Elbasanit. Mesazhi jonë ka qenë konkret. Kemi filluar nga zhvillimi i qendrës së Elbasanit dhe pak nga pak po shtrihemi edhe në periferi. Ka një vullnet të qartë nga Kryetari i Bashkisë, ka një mbështetje nga qeveria dhe mirëkuptim nga qytetarët e Elbasanit për lirimin e hapësirave të zëna. Kjo tregon që e mira publike prevalon”, tha ai.
Gjiknuri nënvizoi se Bashkia po ecën në drejtimin e duhur, ndaj do të kërkohet besimi i qytetarëve që punët e nisura të shtrihen më tej.
“Më vjen mirë që Bashkia po ecën në këtë drejtim. Natyrshëm që nuk mbarojnë nevojat, por edhe puna nuk do mbarojë. Prandaj ne kërkojmë besimin e qytetarëve në mënyrë që këto punë të nisura t’i shtrijmë edhe në zona të tjera dhe qyteti i Elbasanit, si qytet afër Tiranës, të ketë një perspektivë të mirë ekonomike dhe sociale”, shtoi më tej drejtuesi politik i PS për qarkun Elbasan, Damian Gjiknuri.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, siguroi se ky bllok banimi do të jetë një nga zonat më të bukura të Elbasanit.
“Më vjen mirë që u bë realitet ky investim. Si deputete e kësaj zone jam e kënaqur që banorëve po u jepet përgjigje dhe një investim me standarde. Shumë suksese Bashkisë dhe duhet të vijojmë me punë të tjera. Kjo zonë do jetë një nga zonat më të bukura të qytetit të Elbasanit”, deklaroi Kushi.
Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja u shpreh se prej vitesh në Bashkinë e Elbasanit po ndërtohen rrugë me standarde.
“Vjet dhe parvjet patëm një sërë ndërhyrjesh në rrugët e vjetra të Elbasanit. Fokusin tashmë do e kemi te infrastruktura e brendshme e lagjeve” tha kryebashkiaku Llatja.