“Fryt i një përpjekjeje të gjatë”, kështu e ka konsideruar kryeministri, Edi Rama, nismën e qeverisë për reformë në pagë. Përmes një shkrimi në Facebook, ai shkruan se plani për rritjen e pagës mesatare në 900 euro vjen nga masat e domosdoshme ekonomike që vendi ka ndërmarrë.
Në të njëjtën kohë ai shton se kjo nismë është favorizuar nga rritje e prodhimit të brendshëm, ulja e korrupsionit dhe digjitalizimit.
“Pagat e reja, falë të cilave paga mesatare në Shqipëri thuajse dyfishohet duke arritur majën historike të 900Eurove në 2024, janë frut i një përpjekjeje të gjatë, këmbënguljeje e durimi të madh për reforma të vështira e masa të domosdoshme për ekonominë dhe për financat tona, rritjeje të të ardhurave falë rritjes së ekonomisë, tregtisë, investimeve publike e private, rritjes së prodhimit e të eksporteve, modernizimit të sistemit të mbledhjes së taksave përmes kompjuterizimit të transaksioneve në kohë reale, lehtësimit e rritjes së shpejtësisë së shërbimeve për biznesin falë digjitalizimit të tyre, forcimit të shtetit në tërësi dhe uljes së ndjeshme të korrupsionit në tatime e dogana, po mbi të gjitha, pagat e reja janë frut i punës sonë të përbashkët, të çdo shqiptari e shqiptareje, që në shtet a në privat, kontribuon për ekonominë shqiptare me punën e vet”, shkruan Rama.
Kryeministri Rama ka ndarë lajmin e rritjes së pagave për disa sektorë të punojësve në shtet, në shëndetësi, uniformat blu apo mësuesit. Ai ka theksur se plani për rritjen e pagave do të përfundojë brenda një viti, duke theksuar se do të aplikohet përmes dy hapave.