Ndihmës Sekretari i Shtetit në detyrë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker, ka mbërritur në Tiranë në një vizitë një ditore në vendin tonë.
Rreth orës 10:30, diplomati i lartë amerikan ka hyrë në Kryeministri për të zhvilluar një takim me kryeministrin Edi Rama, dhe zyrtarë të tjerë. Mësohet se në fokus të takimit ishin marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe fushat e shqetësimit të ndërsjellë.
Pas këtij takimi, Ambasadori Reeker ka udhëtuar drejt selisë së Partisë Demokratike, ku është takuar me kreun e kësaj partie Lulzim Basha.
Takimi i Reeker me Bashën vjen pak javë pasi Sekretari i Shtetit Blinken shpalli “non grata” liderin historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe familjen e tij. Nuk dihet nëse kjo do jetë një nga çështjet që do diskutohet mes Ambasadorit Reeker dhe kryedemokratit Basha.
Pas Tiranës, Reeker më 1 korrik do të mbërrijë në Ohër, ku do të marrë pjesë në Konferencën “Rruga për në Prespë” për të theksuar mbështetjen e SHBA për dialogun e vazhdueshëm dhe bashkëpunimin drejt stabilitetit dhe progresit në të gjithë rajonin.
Në Ohër ai do të takohet me kryeministrin Zaev, Ministrin e Jashtëm Osmani dhe zyrtarë të tjerë të lartë për të diskutuar përparësitë e përbashkëta për Ballkanin Perëndimor.