Në një raport të fundit INSTAT bëri me dije se punësimi në administratën publike është rritur në mënyrë të shpejtë gjatë dekadës së fundit. Të dhënat zyrtare tregojnë se në fund 6-mujorit të parë arriti në 185,696 persona nga rreth 163,885 që u gjeten në vitin 2014.
Lidhur me këto gjetje, ka ardhur edhe reagimi nga opozita e Bashkuar.
Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë, kanë qenë në unison dhe theksojnë se administratat po fryen për qëllime elektorale.
Zëdhënësja e PD Floriana Garo në një dalje nga selia blu ka thënë se këto nuk janë rroga që shkojnë për familjet shqiptare por “bonuse që u jepen patronazhistëve, kujdestarëve grabitqarë të zgjedhjeve vendore dhe kuvendore në shtet-rrangallën elektorale të Ramës”.
“Janë para të taksave tuaja, që shkojnë në xhepin dhe kontot e tyre. Ndër këta 22 mijë vetë gjenden militantë të Rilindjes, që e marrin rrogën edhe kur janë jashtë vendit, siç e kemi denoncuar nga kjo foltore rastin e bashkisë së Vaut të Dejës. Ata shpërblehen që, kur të vijnë zgjedhjet të kthehen në Shqipëri dhe të punojnë për manipulimin e vullnetit të bashkëqytetarëve të tyre. Me pak fjalë të punojnë që rroga e tyre të vazhdojë”, tha Garo.
Sipas saj fryrja e administratës do të thotë rritje e peshës së shtetit në ekonomi.
“Sipas të dhënave të INSTAT, pesha e administratës publike në ekonomi, arsim, shëndetësi etj., në totalin e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) shënoi rritje me 2.5 pikë. Rritja e peshës së administratës në ekonomi nisi gradualisht pas vitit 2013. Qeveria “Rama 3” ka rreth 15 ministri nga 12 që ishin në qeverinë “Rama 2” dhe 19 në qeverinë “Rama 1”. Në vitin 2020, nga 10 degët kryesore të ekonomisë, administrata publike ishte e treta për peshën më të lartë në ekonomi, pas bujqësisë me 19.2 %, dhe sektorit të tregtisë, akomodimit dhe transportit me mbi 15%”, tha ajo.
Për të njëjtën çështje foli edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi. Ai tha se vënia e shtetit në funksion të punësimit të patronazhistëve është prova më e rëndë e degradimit të administratës publike nga Edi Rama.
“Fryrja e paligjshme dhe politike e shtetit me patronazhistë për qëllime elektorale po shkatërron Buxhetin e Shtetit, llogaridhënien dhe transparencën dhe po rëndon çdo ditë edhe më shumë qytetarët shqiptarë që më bukën dhe djersën e tyre paguajnë me kosto ekstra të pamerituara një administratë publike që jo vetëm nuk u shërben, por edhe i vjedh, i shtyp dhe i zemëron çdo ditë. Ndërsa shteti i kapur hap vende pune, të cilat nuk kanë asnjë ndikim në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të Shqipërisë, për të “rehatuar” patronazhistët, dhjetëra mijëra vende pune humbin në sektorët më prodhues dhe mijëra biznese mbyllen dhe falimentojnë. Prandaj është koha për të çliruar administratën nga fuksat dhe patronazhistët dhe për ta kthyer shtetin në shërbim të qytetarit”, tha ai.