Duke folur për spastrimet në administratë, kreu i PS-së Edi Rama kërkoi nga të tijët që të mos punësojnë të afërmit e tyre në shtet.
Ai paralajmëroi se nëse diçka e tillë vazhdon si deri më sot, do të ketë përballje me drejtësinë.
Dhe në këtë “duel”, Rama ua bëri të qartë socialistëve se partia nuk mbron asnjë.
“Mandati i tretë le të jetë edhe i fundit po të doni nëse mandati i katërt do të varet nga këta, parazitët e arrogantët që futen në zyrat e shtetit me garanci interesash që nga deputetët, te ministrat e deri në nivelet e drejtorëve nëpër territor. Kur të më gjeni kushërinjtë e mi dhe krushqit e mi që punojnë në administratën shtetërore, hajde dhe me kërkoni vend për kushërinjtë dhe krushqit tuaj. Mandati i tretë përputhet me drejtësinë. Flamuri i PS nuk do të bëhet mbulesë për asnjë ministër, deputet, drejtor, shef, nëse drejtësia e re do të kërkojë hesap prej tij apo prej saj. E kemi parë që na është dashur të ndeshemi me këtë sfidë. Partia nuk mban përgjegjësi për askënd që shkel në dërrasën e kalbur, por sesi reagon ndaj kujt shpallet nga drejtësia si i kërkuar për shkelje. Reagimi ynë do të jetë edhe më i qartë, edhe më i prerë: Ik sqarohu para drejtësisë me avokatin tënd! PS-ja është garantja e reformës në drejtësi dhe është prijësja e luftës për barazi.”