Radhën e kishin pensionistët që kryeministri Edi Rama t’i sqaronte për lekët shtesë që do të përfitojnë për të përballuar rritjen e çmimeve. 9 mijë lekë në total për tre muaj duke nisur nga prilli, mbi 400 mijë pensionistëve do t’u jepen në dorë për t’u lehtësuar shpenzimet për ushqimet e shportës.
EDI RAMA
KRYEMINISTER I SHQIPERISE
Si do mbështeten? Me një llogari shumë të thjeshtë. Sa është rritur shporta, duke u bazuar tek INSTAT? 25mijë lekë plus konsumi i shportës. Atëherë do kenë 30mijë lekë plus në muaj, për 3 muaj rresht, me shpresën që kjo gjë për tre muaj diçka do stabilizohet.
Si në çdo dalje, qëkur qytetarët prej ditësh i protestojnë poshtë zyrës, kryefjala e Edi Ramës janë ata. Këtë herë, protestuesit i akuzoi si mbështetës të Rusisë në konfliktin që ajo ka me Ukrainën.
Dalin për të protestuar kundër luftës. Këtu bëhet një protestë që mund ti pëlqejë Rusisë, po, mund ti pëlqejë, sepse kjo është një nga pjesët e strategjisë të asaj lufte që njerëzit në vendet që e mbështesin Ukrainën të fillojnë të ngrihen në protesta ekonomike dhe me protestat e tyre ekonomike të harrojnë se çfarë luhet atje, se atje nuk luhet fati i Ukrainës, atje luhet edhe fati i Europës
Ndryshe nga një ditë më parë që foli për negociata, sot presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e sfidoi që të bëjë funksionale nismën “Ballkani i Hapur” duke mos bllokuar eksportin e grurit për tregtarët shqiptarë.
Kemi këtu kompanitë e grurit, kanë 20mijë ton të kontraktuara në Serbi, janë mbyllur kufinjtë dhe ne duam ta hapim këtë tani me diplomaci, me “Ballkanin e Hapur” pra. Nëse “Ballkani I Hapur” vlen për diçka, urdhëro, tani vlen të tregojnë ata që janë po kq seriozë sa ne për “Ballkanin e Hapur” dhe ta hapin.
Për një nga kërkesat kryesore të protestuesve, lehtësimin e çmimit të naftës nga disa prej taksave pasi do të ndikojë në uljen e çmimeve të produkteve ushqimore, Edi Rama, thotë kjo nuk do të ndodhë.
Kjo është një protestë që është turpi i Shqipërisë dhe kjo është një protestë që mund të vazhdojë edhe katër vjet deri në vitin 2025 kur të bëhen zgjedhjet e tjera të paktën, por taksë nga nafta këta nuk kanë për të hequr dot. Kaq po ju them unë këtyre. Dhe këtë turp që këta ia vënë Shqipërisë në kurriz që marrin dhe pyesin gjithë të huajt që janë këtu, “ore çfarë bëhet këtu”, do ta mbajnë gjatë këta në fytyrën e tyre.