
Si sportel, kadastra nuk do të ekzistojë më pas vitit 2025. Sfida për ta shndërruar këtë shërbim, një nga më problematikët për çështjet e pronësisë, nga fizik në online do të realizohet përgjatë mandatit të tretë qeverisës.
Edhe pse ky angazhim paraqet shumë vështirësi, kryeministri Edi Rama doli garant se pas katër vitesh, çdo qytetar i cili do që të vërtetojë me dokumente pronën e tij do ta marrë të gjithë shërbimin online.
Dhe të gjithë këtë proces i cili në vetvete ndërthur marrjen e dhjetëra dokumenteve nga shumë institucioneve para se qytetarit t’i dorëzohet titulli i pronësisë do të kryhet përmes portalit E-Albania.
Me bindjen se ky shërbim do të luftojë korrupsionin dhe gjithë pengesat që qytetarët heqin për të vërtetuar pronën, kryeministri Edi Rama thotë se paralelisht me E-Albania, në ndihmë do tu vijë edhe ligji i ri për bashkëqeverisjen.
Madje qytetarët i siguroi që me gjithë kundërshtitë e presidentit Ilir Meta për të, ai nuk do të pësojë asnjë ndryshim.
Kryebashkiakët i paralajmëroi se ligji i bashkëqeverisjes do të veprojë edhe mbi ta.
Sot qyetetarët përmes E-Albania marrin 95 për qind të shërbimeve online duke shmangur kontaktin fizik me sportelistët. Vitin e ardhshëm pritet që të tjera t’i shtohen.