Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë raportin e komunitetit të zbulimit të departamentit amerikan të shtetit, duke shigjetuar prokurorinë e cila sipas tij nuk i dha përgjigje çështjes së financimit të partisë demokratike nga Rusia. Shefi i qeverisë shfrytëzoi një bashkëbisedim në rrjetet sociale për të sjellë në vëmendje se këtë çështje partia që ai drejton e denoncoi 4 vite më parë, por shumica e klasës politike nuk e besoi.
EDI RAMA
KRYEMINISTER I SHQIPERISE
Advertisement“Financimet ruse janë fakt. Duhet të ishin zbardhur dhe duhet të ishin ndëshkuar me kohë. Financimet ruse nuk janë bërë thjesht nga një person. ”
Kryeministri Rama ka paralajmëruar se problemet brenda partisë më të madhe të opozitës nuk mbarojnë tek gjetjet e këtij raporti për financimin e PD nga Moska.
“Shumë shpejt do tiu duhet të habiteni edhe për gjëra të tjera, jua them unë sot këtu, do tiu duhet të habiteni. Keni çështje të tjera që janë aty që ulërasin, do habiteni dhe do vini prapë të thoni “Po mirë, nuk ke pasur ti gisht që i ke mbyllur këto, apo i ke shtyrë këto apo i ke bërë”?
Ndërsa në lidhje me situatën e rendit dhe sigurisë, kryeministri Rama paralajmëroi se së shpejti do të zbardhet e vërteta për të shumëkërkuarin Ervis Martinaj.
“Jam shumë besimplotë që do ta kemi shpejtë, sepse përgjigja e Policisë së Shtetit duhet të jetë një përgjigje besoj unë që duhet të mbështetet dhe në prova, nuk është thjesht një përgjigje të cilën pak a shumë e kemi që sot, por nuk mund të thuhet zyrtarisht sepse kërkon të jetë e provuar.”
Gjatë bashkëbisedimit, shefi i qeverisë sqaroi situatën energjetike të vendit duke përsëritur se nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike. Sipas kryeministrit janë vetëm 40-60 mijë familje që preken nga rritja e çmimit, pasi konsumojnë më shumë se 800 kilovat / orë.
“Nuk është një çmim përgjithmonë. Është nga 1 tetori deri në dhjetor dhe pastaj në bazë të gjithë bilancit energjitik të vendit, në bazë të situatës hidrike të vendit, në bazë të gjithë rezultateve që kemi ne do të rishikojmë nëse do ta mbajmë apo nëse do ta lëvizim.”
Sipas kryeministrit Rama qeveria ka mbrojtur 1 milion e 90 mijë familje nga rritja e çmimit të energjisë duke përllogaritur se 800 kilovat / orë mjaftojnë për të garantuar një jetesë normale për çdo familje.