Kryeministri Edi Rama u ka premtuar sërish shqiptarëve, që jetojnë jashtë kufijve të vendit miratimin e një amnistie fiskale e penale. Shefi i qeverisë shqiptare shfrytëzoi mbledhjen e Këshillit Koordinues të Diasporës për të theksuar se çdo shqiptar, që ka punuar në të zezë do të ketë një mundësi ligjore t’i legalizojë paratë e tij këtu.
EDI RAMA
AdvertisementKRYEMINISTER I SHQIPERISE
“Ne do ta bëjmë amnistinë fiskale me çdo kusht.”
Kryeministri ka pasur një mesazh edhe për kritikët më të fortë të kësaj nisme ligjore, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian.
“Edhe bashkësia ndërkombëtare dhe BE do ta kuptojë. Për sa kohë e bën Italia një herë në tre vite, s’kemi pse mos e bëjmë.”
Duke iu përgjigjur shqetësimeve të partnerëve ndërkombëtarë, Rama ka theksuar se nga amnistia nuk do të përfitojnë as shqiptarët e përfshirë ne afera kriminale apo në afera korruptive.
Kjo nuk është hera e parë që qeveria synon të miratojë një amnisti për të legalizuar paratë e shqiptarëve që kanë punuar në të zezë. Në vitin 2020 drafti arriti deri në séancë plenare dhe u tërhoq në momentin e fundit për shkak të kritikave të faktorit ndërkombëtar. Mazhoranca po tenton për të dytën herë të miratojë amnistinë, por sërish Shtetet E Bashkuara, Britania E Madhe dhe Bashkimi Evropian janë pozicionuar kundër.
Për më tepër mazhoranca sot gëzon vetëm 77 vota, përkundër 84 votave që kërkon miratimi i amnistisë dhe duket e vështirë që ajo t’i plotësojë numrat e nevojshëm për sa kohë që e gjithë opozita ka dalë kundër.