Ministria e Infrastukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Turizmit e Mjedisit kanë reaguar në një deklaratë të përbashkët në lidhje me çështjen e 816 tonëve mbetje që dyshohet se janë toksike, e të cilat kanë dalë nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën.
Në deklaratë thuhet se që prej momentit të parë të sinjalizimit të këtyre dyshimeve muajin e kaluar, ka nisur një hetim i përbashkët me Zyrën e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimit.
“Në të dyja rastet e përfolura të transportit, nga Elbasani drejt Tajlandës dhe nga Kosova drejt Kinës, mallrat e deklaruara si okside/hidrokside hekuri apo koncentrat zinku, janë transportuar nga porti i Durrësit drejt porteve evropiane përmes linjave kontejnerike ndërkombëtare me reputacion të padyshimtë dhe nuk janë bërë objekte kontrollesh në vendet e BE-së, ku kanë ndaluar dhe janë magazinuar përkohësisht, por janë lejuar të vijojnë itinerarin e tyre.”
Deklarata nënvizon se këto mallra nuk përfshihen në kategorinë e produkteve të rrezikshme.
“Nga verifikimet e të dyja proceseve logjistike të mësipërme, si dhe të ngarkesave të ngjashme në të kaluarën, mallra me klasifikim të tillë nuk janë konsideruar asnjëherë si mbetje të rrezikshme nga organet doganore dhe mjedisore. Këto mallra nuk bëjnë pjesë në kategorizimet e parashikuara në Kodin Ndërkombëtar Detar për Mallrat e Rrezikshme dhe për pasojë nuk mund të ipër mosveprim të administratës portuale apo asaj detare.”
Në çdo rast, thuhet në deklaratë, konventat ndërkombëtare, parashikojnë se deklarimi i ngarkesës si mall apo mbetje e rrezikshme është detyrim i eksportuesit apo importuesit, dhe janë ato që do të sqarojnë përgjegjësinë në fjalë.
“Autoritetet mjedisore, portuale dhe doganore shqiptare operojnë prej vitesh me protokolle të rrepta për sa i përket autorizimeve të përpunimit dhe transportit të mallrave të rrezikshme, në përputhje me konventat ndërkombëtare përkatëse. Në këto rrethana, nuk mundet që Shqipëria të pranojë a priori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekullimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme.”
Po ashtu në deklaratë vihet në dukje se duhet pritur deri në fund hetimi i nisur si dhe përgjigjja e analizave për produktet e dyshuara./vizionplus.tv