Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku e nisi ditën këtë të hënë duke inspektuar punimet në lotin 2 të Unazës së Madhe të Tiranës, te mbikalimi i Pallatit me Shigjeta- ish-sheshi ‘Shqiponja’.
Ajo deklaroi se deri tani është kryer gjysma e punimeve dhe njoftoi se brenda gushtit do të hapet tuneli i pestë.
“Është vlerësuar hapja e segmentit, të mbikalimeve në lotin e dytë edhe ecurinë e punimeve e kemi 50%. Në Unazën e Tiranës, të gjitha pjesët që janë hapur janë definitive dhe nuk kemi asnjë plan t’i mbyllim. Devijimi i trafikut është një vendim që merr ARRSH për t’iu mundësuar ju që të punoni dhe qytetarëve që të kalojnë. Ashtu si në të gjitha projektet që janë nisur në Unazën e Tiranës, na është dashur të rishikohet projekti. Kemi bërë akomodimin e duhur sa i përket trotuareve, ndriçimit. Të gjitha projektet brenda zonave urbane, kemi pasqyruar të gjitha kriteret. Jam shumë e kënaqur me nivelin e ecurinë dhe raportet që marr nga ARRSH për cilësinë e punimeve. Janë marrë të gjitha masat për mbledhjen e ujërave dhe cilësinë e punimeve, Që të mos kemi përmbytje në kohën e vjeshtës dhe dimrit. Kemi vënë një afat të 31 gushtit. Para kësaj date, ne hapim tunelin e 5 dhe më pas vazhdojmë me të gjitha dorëzimet e pjesëve të tjera. Pjesa e segmentit nga TEG-u deri te materniteti i ri të përfundojë brenda vjeshtës që të lidhim të gjitha lotet. Janë dashur ndërhyrje për 2.3 km që nuk bëhen as për 60 km. Unaza e Madhe e Tiranës do marrë një formë që të nisim procedurat për sa i përket pjesës së re, për të lidhur sheshin Shqiponja, bulevardin e ri.”