PS takim me shqiptarët në Britani, Gjiknuri: “Të angazhuar për votën e emigrantëve; Qeveria mekanizma lehtësues për investimet në Shqipëri
Sekretari i Pqërgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri dhe dy deputetët Blerina Gjylameti dhe Lavdrim Krashi zhvilluan një takim me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Britaninë e Madhe.
Gjatë këtij takimi, Gjiknuri i njohu pjesëmarrësit me ristrukturimin dhe fuqizimin e strukturave të PS brenda dhe jashtë vendit si dhe me përpjekjet që po bëhen për vënien në jetë të së drejtës së votës për emigrantët, një angazhim ky i Partisë Socialiste.
“I njoha ata nga afër me punën që po bëhet për ristrukturimin dhe fuqizimin e strukturave të Partisë Socialiste të Shqipërisë jashtë vendit, dhe posaçërisht edhe në Britaninë e Madhe. Gjatë fjalës sime pata rastin të flas për përpjekjet që po bëhen për vënien në jetë të së drejtës së ushtrimit të votës nga shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, një premtim e angazhim ky i Partisë Socialiste. I njoha ata konkretisht edhe me përpjekjet e qeverisë për të lehtësuar mekanizmat dhe nxitur investimet e tyre kapitale në Shqipëri, një fazë kjo e avancuar që shkon shumë përtej thjesht skemës së remitancave, duke i bërë të ndjehen bashkë aksioner në zhvillimin ekonomik të vendit”, thekson Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri në postimin e tij në rrjete sociale.
Gjithashtu, u nda bindja se Partia Socialiste është e vetmja fuqi ndryshimi që do të bëjë të mundur ëndrrën evropiane ndërsa Shqipëria mbetet Atdheu i pazëvendësueshëm
Të pranishmit i përshëndeti me një video mesazh edhe Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.