Në nëntor të 2019, kur Edi Rama kryeministër i Shqipërisë, Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë dhe Zoran Zaev kryeministër Maqedonia e Veriut ranë dakord për të krijuar Minishengenin ballkanik, shumëkush mendoi se një erë e re bashkëpunimi po fryn në Ballkanin e trazuar.
Tre liderët i bënë thirrje dhe shteteve të tjera të bëhen pjesë e kësaj iniciative që do të lehtësonte lëvizjen e mallrave dhe kapitaleve e do të sillte më afër popujt.
Një iniciativë e tillë u kundërshtua nga Kosova, pasi më parë sipas tyre duhej të kishte një njohje nga Serbia.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç e përdori diplomacinë ekonomike dhe një marrëdhënie të veçantë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për të treguar se ai donte bashkëpunimi me shqiptarët, por kjo nuk u reflektua asnjëherë në marrëdhëniet me Kosovën.
Mes akuzave dhe kundërakuzave, provokimeve dhe kundër reagimeve, mes një marrëdhënieje të paqëndrueshme mes SHBA dhe BE dhe pikëpyetjeve se kushdo ta drejtonte dialogun në korrik të 2020, Serbia dhe Kosova u rikthyen në tavolinën e bisedimeve në Bruksel e pak muaj me vonë në Washington, u nënshkrua një marrëveshje në prani të presidentit Donald Trump e cila u konsiderua dhe si mundësi për të ecur drejt marrëveshjes finale mes dy vendeve.
Pavarësisht këtyre thuajse asgjë nuk ndryshoi në retoriken e Serbisë dhe të Aleksandër Vuçiç sa i përket shtetësisë së Kosovës, por kjo doli më në pah pas fitores se zgjedhjeve në SHBA nga Joe Biden.
Vuçiç, që di se Kosova është një çështje e mbyllur, gjendet tashmë mes presionit në rritje të ndërkombëtarëve për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare, dhe elektoratit në Serbi të cilëve iu ka premtuar se nuk do ta njohe kurrë Kosovën.
Në përkujtim të 17 marsit të 2004, Vuçiç provokon me një fotografi të publikuar në llogarinë personale ku shfaqet harta e Kosovës e mbuluar me flamurin serb të cilën e ka shoqëruar me mesazhin “Serbia sot nuk është e dobët, nuk kërcënon, por dhe nuk harron, dhe nuk do të lejojë që 17 marsi të ndodhë përsëri”.
Nga lideri europian i 2019 tek radikali i 2021, Aleksandër Vuçiç thjesht kërkon të përfitojë kohë dhe të mos humbasë elektorat.