Ky është momenti i shpërthimit të fuqishëm me tritol që panikosi të gjithë banorët e Sarandës këtë të hënë, ku si pasojë u rrafshua totalisht një hotel dy katësh.
Vizion Plus ka siguruar pamjet nga kamerat e sigurisë. Siç shihet shpërthimi i ka ngjasuar një tërmeti ndërsa e gjithë zona u pushtua nga pluhuri.
Ngjarja ndodhi rreth orës 05:55 në zonën e bulevardit, ku persona ende të paidentifikuar vendosën një sasi të madhe, rreth 30 kg lënde plasëse tek hotel “Bizanti”, një nga më të vjetrit në qytetin bregdetar. Nga shpërthimi e gjithë ndërtesa u rrëzua ndërsa fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.
Po ashtu, dëmtime të mëdha pati dhe në fasadat e objekteve rreth zonës ku shumë xhama u thyen. Ngjarja shkaktoi panik të madh te banorët e Sarandës.
Ndërkohë policia mbërriti në vendngjarje dhe mblodhi provat e para si dhe sekuestroi kamerat e sigurisë me qëllim identifikimin e autorëve.
Shkak për ngjarjen paraprakisht dyshohet të jenë bërë konflitet e pronësisë mes dy pronarëve të këtij oibjekti.
Hoteli ndodhej në vijën e parë të bregut të detit dhe ishte ndërtuar prej vitit 1996.