
Edhe mbrëmjen e kësaj të hëne, pronarët e bizneseve në zonën e “Lungomares” në Vlorë kanë protestuar, me qirinj në duar, duke kërkuar zgjatjen e fashës së lejimit të muzikës deri në orën 24:00.
Në një prononcim për mediat, pronar i një lokali kërkoi gjithashtu heqjen e gardhit policor nga bizneset e tyre.
“Është si punë e armëve kimike që u mblodhën të gjithë pa asnjë lidhje politike. Të hiqet gardhi policor, shiko sa lezet ka sot, ka turizëm. Përveç gardhit policor, është fasha e orarit, të paktën të kalojë deri në orën 02:00. Ora muzikore, ne na u duk sikur na i dha si karamele orën për muzikën deri në 23:00, por faleminderit edhe për atë. Kërkojmë që deri në orën 24:00, brenda rregullave dhe pa ndotje akustike, ne të kemi një sfond muzikor”, u shpreh një biznesmen.
Më herët, gjatë ditës, kryeministri Edi Rama iu përgjigj shqetësimit të biznesve, duke nënvizuar se Lungomare ka një ndotje akustike të tmerrshme, dhe e drejta e bizneseve nuk mund të fitojë mbi të drejtën e atyre që duan zhurmën e detit natën, e jo ndotjen akustike.