Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar zyrtarisht informacion Ambasadës Amerikane në lidhje me kandidatin për deputet Tom Doshi.
Kjo kërkesë nga organi i akuzës, raporton Vizion Plus, vjen pas deklaratave të drejtpërdrejta te diplomates Yuri Kim kundër Tom Doshit, e cila i ka bërë thirrje klasës politike që ky i fundit të përjashtohet nga kandidimi për zgjedhjet e 25 prillit.
Në letrën drejtuar ambasadës amerikane, Prokuroria ka kërkuar t’i vihen në dispozicion informacionet apo faktet që selia diplomatike amerikane ka kundër Doshit.
Departamenti Amerikan i Shtetit në Prill të vitit 2018, e shpalli non-grata duke i bllokuar hyrjen në Shtetet e Bashkuara Doshit dhe familjes së tij, duke e akuzuar për korrupsion.
Prokuroria e Përgjithshme konfirmon se në varësi të përgjigjes nga ambasada do të vlerësojë hapat e mëtejshëm qe do të ndërmerren.
Diplomatja amerikane Juri Kim ka kërkuar disa herë që organet e drejtësisë të hetojnë veprimtarinë e kryetarit të partisë Social-Demokrate.
Tom Doshi është një nga 28 kandidatët për të cilët Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar verifikim nga Prokuroria e Përgjithshme.