Prokuroria e Tiranës ka bllokuar serverat dhe pritet të marrë në dorëzim dokumentacionin e tre institucioneve shtetërore AKSHI-t, Sigurimeve Shoqërore dhe Tatimeve në lidhje me publikimin e të dhënave personale të më shumë se 630 mijë qytetarëve. Burime nga grupi hetimor shprehen për Vizion Plus se pritet të merren në pyetje drejtuesit e këtyre institucioneve dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Por nga ana tjetër ekspertët e IT shprehen se alarmi nga AKSHI është dhënë me vonesë dhe do jetë shumë e vështirë për prokurorinë që të identifikojë autorët.
GENT PROGNI
EKSPERT IT
Nëse do ishte bërë hetimi në kohën kur kanë dalë këto të dhëna, ose kur janë grumbulluar mund të ishte e lehtë. File mban datën e janarit të 2021, thuajse një vit më përpara. Është shumë e thjeshtë për një person që të fshijë gjurmët, sidomos për një ekspert të IT. Ne kështu nuk kemi asnjë përgjegjës, si një rastin e parë ku përgjegjësi mbeti jetim, edhe në këtë rast përgjegjësi do jetë jetim.
Progni shton se me publikimin e këtyre të dhënave ka rënë siguria kombëtare, pasi miliona euro investime për mbrojtjen e këtyre të dhënave kanë dështuar.
Ka rënë siguria kombëtare. Janë dhënë miliona euro nga AKSHI për të ndërtuar këto sisteme, por nuk na duhet sisteme të bukura për tu parë, por na duhet sisteme të sigurta.
Eksperti siguron se nuk kemi të bëjmë me sulm hakerimi, por një rrjedhje informacioni nga brenda.
Nuk mund të jetë kurrsesi një ndërhyrje nga jashtë, sepse nëse do të kishim një ndërhyrje nga jashtë ne do të kishim një redflag një bllokim të aksesit. Do të kishim lajmërimin e institucioneve të tjera që kanë patur një ndërhyrje. Unë mendoj që është një rrjedhje informacioni nga brenda. Akseset i janë lejuar personave të papërgjegjshëm ndoshta. Ose mund të jetë bërë e qëllimshme grumbullimi i informacioneve për grupe të interesuara. Në 2021 një informacion i tillë është pasuri.
Pas patronazhistëve, ky është rasti i dytë ku të dhënat personale të qindra mijërave qytetarëve publikohen dhe shpërndahen në mediat sociale.