Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili u shpreh se është i gatshëm të përballet edhe me popullin e dy marsit.
Kreu i Shtetit u shpreh se deri në 24 korrik, kur pritet të dorëzojë detyrën, nuk do të marrë pjesë në asnjë garë politike, ndërsa deklaratat e Ramës, i quajti “kurthe diletantësh”.
“Këto janë kurthe diletantësh dhe koha e teatrit të kukullave përfundoi në 25 prill. Kështu që Meta as ka marrë dhe as do të marrë zgjedhje në asnjë garë politike deri në 24 korrik. Kemi bërë një premtim që pas 24 korrikut do të bashkëbisedojmë me popullin sovranist të dy marsit. Të gjitha ata që i ka marrë malli të ballafaqohen me Ilir Metën do ta kenë këtë mundësi shumë shpejt”.
Meta bëri homazhe tek shtatorja e Atit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe themeluesit të shtetit tonë modern, Ismail Qemali, ne bulevardin “Dëshmoret e Kombit” ndërsa dha edhe disa mesazhe.
“Është moment për të reflektuar për të forcuar shtetin tionëm, për të rivendosur sovranitetin e popullit tonë, për të forcuar të gjithë institucionet e pavarura dhe për të përshpejtuar rrugën e integrimit. Është një moment i rëndësishëm për ti dhënë fund shpopullimit dhe për ti dhënë shpresë të rinjve”, deklaroi Meta.